Për aktin e tij të guximshëm në shpëtimin e tre qytetarëve të lënduar gjatë një aksidenti në aksin rrugor Levan–Fier, Klajdi Mustaj, punonjës i Policisë Rrugore në Fier, është vlerësuar me “Certifikatën për Shërbime të Dalluara” nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda.
Kështu ka bërë të ditur Policia e Shtetit në faqen e saj në rrjetin social, Facebook gjersa ka theksuar se Mustaj u bë shembull i misionit të Policisë.
“Veprimi i policit Klajdi Mustaj tregon më së miri misionin e Policisë së Shtetit: të jemi aty ku qytetarët kanë më shumë nevojë për ne. Guximi, profesionalizmi dhe reagimi i shpejtë i punonjësit tonë është shembull frymëzues për të gjithë trupën policore”, thuhet në njoftim.
Mustaj është pjesë e Policisë së Shtetit prej shkurtit 2024, pas përfundimit të Kolegjit Profesional për Patrullë të Përgjithshme.