Von der Leyen në Sarajevë: Bosnja të emërojë kryenegociatorin që t’i fillojë negociatat me BE-në

Von der Leyen

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha më 14 tetor në Sarajevë se prioritet është mbajtja e konferencës së parë ndërqeveritare, për çka është e nevojshme të emërohet kryenegociatori.

Ajo theksoi se zgjedhja e personit që do ta mbajë këtë rol i takon institucioneve të Bosnjë e Hercegovinës, por se më e rëndësishmja është që emërimi të bëhet sa më parë, në mënyrë që të mund të fillohet menjëherë me aktivitetet e nevojshme.

Vizita e saj u zhvillua menjëherë pas vendimit të Këshillit të Ministrave, më 30 shtator, për të miratuar Draftin e Agjendës së Reformave, dokument që ka rëndësi vendimtare për tërheqjen e rreth 900 milionë eurove kredi të favorshme dhe grante nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian.

Në konferencën për shtyp, pas takimit me kryetaren e Këshillit të Ministrave të Bosnjë e Hercegovinës, Borjana Krishto, von der Leyen kujtoi se “para një viti e gjysmë Këshilli Evropian mori një vendim historik për hapjen e negociatave të anëtarësimit për Bosnjë e Hercegovinën”.

Ajo shtoi se Bosnja dhe Hercegovina ka bërë një rrugë të gjatë dhe se vendi sot qëndron në prag të Bashkimit Evropian.

“Ju përgëzoj për Agjendën e Reformave, dhe tani është radha jonë ta vlerësojmë atë; në hapin e ardhshëm do të duhet të shkojmë drejt finalizimit për miratimin e fondeve”, theksoi presidentja e Komisionit Evropian.

Ajo theksoi se e ardhmja e të gjitha komuniteteve në Bosnjë e Hercegovinë është në Bashkimin Evropian, duke shtuar se zgjerimi “nuk është vetëm çështje politike, por edhe çështje zemre, vullneti dhe zëri të popullit”.

“Sipas një ankete të fundit të opinionit publik, 72 për qind e qytetarëve të Bosnjë e Hercegovinës kanë besim tek Bashkimi Evropian. Brezat e rinj duan të jetojnë në një Evropë të bashkuar, dhe detyra jonë është t’ua bëjmë këtë të mundur”, tha presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Kryetarja e Këshillit të Ministrave të Bosnjë e Hercegovinës, Borjana Krishto, shprehu shpresën se “do të ketë përgjegjësi politike kur bëhet fjalë për rrugën evropiane të vendit”, duke theksuar se “në këtë proces nuk duhet të ketë ndarje mes pozite dhe opozite, por përkushtim të përbashkët ndaj Bashkimit Evropian”.

Krishto gjithashtu njoftoi se e kishte informuar presidenten e Komisionit Evropian për përgatitjet e zhvillimit të Procesit të Berlinit, që do të mbahet javën e ardhshme. “Fatkeqësisht, ende nuk kemi arritur të harmonizojmë një marrëveshje mbi lëvizshmërinë, përkatësisht për qarkullimin me karta identiteti”, shtoi ajo.

Presidentja e Komisionit Evropian më herët është takuar edhe me anëtarët e Presidencës së Bosnjë e Hercegovinës – Zhelko Komshiq, Zhelka Cvijanoviq dhe Denis Beqiroviq.

Para mbërritjes në Sarajevë, ajo vizitoi edhe Qendrën Përkujtimore Potoçari pranë Srebrenicës. Siç deklaroi, “Bashkimi Evropian do ta kujtojë gjithmonë gjenocidin e Srebrenicës dhe nuk do të lejojë që të shkruhet një histori e re për të”./REL

Shija e redaktorit

Zgjedhjet lokale, nesër intervistohen mbi 50 mijë qytetarë për Exit...

Zgjedhjet lokale që do të mbahen nesër në 38 komunat e vendit do të shënojnë një rekord historik sa i përket Exit Poll-eve. Në kuadër...

Debati për Prishtinën, paratë e mbledhura nga mesazhet në Debat...

Mbrëmë studio e Debat Plus ishte nikoqire e debatit më të madh e vendimtar në kuadër të garës për zgjedhjet lokale në Prishtinë. Kundër kandidatët...

Mijëra dronë “Skydagger” mbërrijnë në Prishtinë, njofton Kurti: FSK po...

Kontejnerë që mbajnë mijëra dronë luftarakë kamikazë të markës Skydagger mbërritën sot në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari”, njoftoi kryeministri në detyrë Albin Kurti. Sipas Kurtit,...

Të fundit nga rubrika