Nëse Gjykata Kushtetuese i jep të drejtë Lëvizjes Vetëvendosje për votim të fshehtë, nuk është e nevojshme ekzekutimi i saj po thotë Lumir Abdixhiku, madje ai ka një formë se si LDK nuk do e bëjë atë dhe paralajmërimet i bëri gjatë një intervistë mbrëmë në “Debat Plus”.
Deputetët tanë kanë me dal, me marrë letrën aty te tavolina me plotësu kundër, me kallxu te kamera nalt edhe me vendos në kuti të votimit 20 vota kundër, pra prej LDK-së mos pritni, nuk ndrron asgjë në thelb, nuk ka asnjë presion”, ka thënë Lumir Abdixhiku, Kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Kjo deklaratë e liderit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, ndezi fort deputetët e LVV-së që thanë se kjo është kundër demokracisë.
“Çfarë katandisje e partisë që dikur udhëhiqej nga Ibrahim Rugova!”
“Nga parti shtet-formuese në parti votë-fotografuese”, ka thënë Hekuran Murati.
“Një ditë bën propozime kinse për mbrojtjen e demokracisë, ditën tjetër paralajmëron se deputetët e LDK-së do ta tregojnë votën e tyre kundër për kamerat në rast të votimit të fshehtë!
Kjo nuk është demokraci, as transparencë.
Është kontroll, presion dhe mungesë totale besimi ndaj deputetëve të vet”, ka thënë Fitore Pacolli, Deputete e LVV-së.
Kurse për televizionin një përgjigje e dha edhe zëdhënësi i kësaj partie Arlind Manxhuka, dhe mohoi që kjo po bëhet për të siguruar votë të Listës Serbe.
“Tutje, deputeti Abdixhiku me deklarimin e tij në lidhje detyrimin e deputetëve të LDK-së për ta ekspozuar votën është cenim i votës së fshehtë dhe pengesë për ushtrimin e një të drejte kushtetuese. Ndërkaq, sa i përket deklaratës së kjo gjë po bëhet në mënyrë që Lista serbe të votojë kjo përveçse e pavërtetë është edhe e pasaktë. Nuk ka nevojë për votë të fshehur për ta parë si votojnë ata, tashmë po e shohim për të 28-tën herë radhazi se në harmoni me kënd është vota e tyre në procesin e konstituimit të Kuvendit”– Arlind Manxhuka, Zëdhënës i Lëvizjes Vetëvendosje.
Nëse është i lejuar apo jo votimi i fshehtë për zgjedhjen kryeparlamentarit është në diskrecionin e Gjykatës Kushtetuese, derisa monitorues të legjislativit shpresojnë që vendimi të merret brenda afatit ligjor prej 60 ditësh.
“E rëndësishme është që të kemi një vendim i cili do t’u shërbejë deputetëve si udhërrëfyes apo si skicë që të kemi sa më shpejt një Kuvend të konstituuar dhe që presim pastaj ky aktgjykim i Gjykatës Kushtetuese të zbatohet në përpikëri nga secili deputet dhe të mos vendosen si prioritet interesat e tyre personale e partiake para interesave të përgjithshme që i përcakton aktgjykimi i Kushtetueses”, ka thënë Melos Kolshi, Instituti i Kosovës për Drejtësi.
Ndërkohë, të shtunën është tentimi i 35-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.