Prokuroria Themelore në Ferizaj ka ngritur aktakuzë kundër një personi me inicialet L.F., nga komuna e Ferizajt, nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Vrasja e rëndë”.
Sipas aktakuzës, ekziston dyshimi i bazuar se më 23 janar 2025, në intervalin kohor nga ora 18:30 deri në 20:06, në fshatin Pleshinë e Ulët, në afërsi të rrugës “Rilindja” të fshatit Manastirc – komuna e Ferizajt, i pandehuri L.F., me dashje dhe në mënyrë dinake, ka privuar nga jeta tani të ndjerin B.V.
Hetimet tregojnë se një ditë para ngjarjes, më 22 janar, i pandehuri dhe viktima kishin planifikuar të kalonin një natë në një vilë në malet e fshatit Burrnik.
Të nesërmen, gjatë kthimit përmes maleve të fshatit Pleshinë, për motive ende të panjohura, i pandehuri e ka qëlluar viktimën në kokë me armën që ai e kishte me vete – një pushkë gjysmë automatike të tipit kallashnikov – duke i shkaktuar plagë vdekjeprurëse.
Pas ngjarjes, trupi i viktimës ishte mbuluar me dhe, drunj e dushkë, ndërsa më 5 shkurt 2025, ai u gjet nga disa qytetarë.
“Sipas aktakuzës së Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se me datë 23 janar 2025, në intervalin kohor prej orës 18:30 – 20:06 minuta, në fshatin Pleshinë e Ulët, në pjesën malore në afërsi të rrugës “Rilindja” të fshatit Manastirc- komuna Ferizaj, i pandehuri L.F., me dashje dhe në mënyrë dinake, ka privuar nga jeta tani të ndjerin B.V., në atë mënyrë që fillimisht një ditë para ngjarjes kritike, më 22.01.2025, së bashku me të ndjerin kishin vendosur që të shkojnë në një villë, në malet e fshatit Burrnik- komuna Ferizaj, ku të njëjtit edhe më parë kishin qenë atje së bashku, ashtu që pasi furnizohen me ushqim, rreth orës 16:00, tani i pandehuri me një person të paidentifikuar, me automjetin e tipit kamionetë, ngjyrë të bardhë shkojnë e marrin viktimën tek shtëpia e tij, pastaj me kamionetë shkojnë deri tek vendi i quajtur “Te Podi”, rrugën deri tek villa e vazhdojnë në këmbë nëpër mal, ku aty qëndrojnë deri të nesërmen pasdite dhe pastaj po nëpër malet e fsh. Pleshinë, në këmbë e vazhdojnë rrugën për tu kthyer në shtëpi, ku për shkaqe të panjohura devijojnë rrugën dhe vazhdojnë në drejtim të rrugës që shpie për në fshatin Manastirc, po ashtu nëpër mal, ashtu që me të arritur në afërsi të fshatit në fjalë, për motive të panjohura, i pandehuri e privon nga jeta tani të ndjerin duke e qëlluar në kokë me armën që i ndjeri e kishte me vete dhe atë pushkë gjysëm automatike – kallash, ku i shkakton plagë vdekjeprurëse, siç është konstatuar nga raporti i Autopsisë, ndërkaq pas privimit nga jeta trupin e viktimës e mbulon me dhe, drunjë e dushkë, kurse më 05.02.2025 gjendet trupi i pajetë i të ndjerit nga disa qytetarë, me çka ka kryer veprën penale “Vrasja e rëndë” nga neni 173 paragrafi 1 nënparagrafi 1.4 të KPRK-së”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Prokuroria Themelore në Ferizaj ka bërë të ditur se me këto veprime, i pandehuri L.F. dyshohet se ka kryer veprën penale “Vrasja e rëndë” nga neni 173, paragrafi 1, nënparagrafi 1.4 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Prokurori i çështjes, me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, i pandehuri i lartëcekur të shpallet fajtor për veprën penale për të cilën akuzohet dhe të dënohet sipas ligjit.