Pavarësisht angazhimit të ekipeve policore, Mefail Shkodra dhe dy djemtë e tij, Edonis e Engjull Shkodra vazhdojnë të jenë të paarritshëm për organet e drejtësisë.
Të njëjtit që u larguan nga vendi i ngjarjes janë në arrati e të kërkuar për vrasjen e trefishtë që ndodhi në Gjilan të dielën.
Zëdhënësi i Policisë në Gjilan thotë se janë duke e trajtuar me seriozitet rastin.
“Janë duke vazhduar kërkimet me të gjitha ekipet i kemi të angazhuar pa ndërprerë..Vetë fakti që ne kemi bërë një kërkesë publike përmes mediave dhe publikut tregon se i kemi të angazhuara të gjitha mjetet dhe mundësitë tona që ata të kapen, janë lajmëru pikat kufitare njësitet, e kemi profilin në detaj të tyre dhe po punojmë me seriozitetin më të madhë…”, ka thënë ismet Hashani.
Detaje për rastin nuk po jep as Prokuroria Themelore e Gjilanit nën arsyetimin se janë në fazën fillestare të hetimeve.
“Lidhur me rastin, për momentin rezervohemi në dhënjen e informative, pasi që ende jemi në fazën fillestare dhe rasti është nën hetim.”
Ndërkohë që Inspektorati Policor i Kosovës ka rekomanduar suspendimin e katër zyrtarëve policor, pas rastit në Gjilan, por duke mos specifikuar arsyet e dyshimeve për ta.
Edhe pas insistimit të televizionit, IPK-ja nuk ka kthyer përgjigje gjatë ditës, se cila ishte përfshirja e zyrtarëve policor në këtë rast.
Në anën tjetër, ish-kryeshefi i IPK-së, Valdet Hoxha thotë se institucionet duhet të kryejnë hetime pa asnjë lloj ndikimi e presioni për të zbardhur të vërtetën.
“Të ketë mekanizma që hetojnë këtë punë dhe të kenë pavarësinë pa një lloj presioni sepse shpejtësia dhe presioni nuk janë aleat për zbardhjen e së vërtetës do duhej çdo mekanizëm të merr kohen e arsyeshme optimale dhe të dalin me një konkludim të saktë…”, ka thënë Hoxha.
Të dielën tre persona u vranë në një kafiteri në qendër të Gjilanit, ndërkohë që dy nga tre të dyshuarit ishin arrestuar vitin e kaluar për veprën penale të fajdesë dhe detyrimit, por që ishin liruar nga paraburgimi pas propozimit të prokurorisë speciale, që masa të u ndryshohet me dorëzani.