Një tjetër atentat i kryer nga vrasës me pagesë ndodhi të dielën pasdite në Medellín, Kolumbi.
Ngjarja u regjistrua në një rrugë pranë qendrës tregtare Santa Fe, në lagjen El Poblado, Komuna 14.
Sekretari i Sigurisë së qytetit, Manuel Villa Mejía, bëri të ditur se viktima ishte një burrë me dokumente identiteti ekuadoriane, por me kombësi shqiptare.
Gjatë sulmit mbeti e plagosur edhe një grua që shoqëronte viktimën. Sipas raportimeve paraprake, viktima është identifikuar si Artur Tushi, 44 vjeç, i lindur në Shqipëri, por me dokument identiteti ekuadorian.
Raportohet se autori i është afruar 44-vjeçarit Artur Tushi me motoçikletë dhe pasi i ka folur diçka e ka qëlluar për vdekje.
“Dyshohet se kërkuan vetëm emrin e personit dhe, kur e konfirmuan, kryen aktin”, tha një dëshmitar.
Pamjet e kamerave të sigurisë çuan policinë drejt autorit të dyshuar, një shtetas venezuelian, i cili u kap në lagjen Mirador të komunës së Bellos.
Motoçikleta dhe arma e përdorur për vrasjen u sekuestruan nga policia.
“Motivet dhe detajet e ngjarjes janë ende në verifikim si pjesë e hetimeve që po zhvillohen nga autoritetet,” tha Villa Mejía.