Vuçiq mban takim urgjent me ministrat serbë për vendimin e BQK-së

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka mbajtur një takim urgjent me disa ministra të Qeverisë serbe mbrëmjen e së martës, lidhur me vendimin e Bankës Qendrore të Kosovës

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka mbajtur një takim urgjent me disa ministra të qeverisë serbe mbrëmjen e së martës, lidhur me vendimin e Bankës Qendrore të Kosovës që vetëm valuta euro të përdoret në Kosovë për operacione me para të gatshme, raportoi Tanjug.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Evropian dhe shtetet e QUINT-it i kanë bërë thirrje Kosovës që të shtyjë zbatimin e rregullores së BQK-së, që është paraparë të hyjë në fuqi më 1 shkurt.

Serbët në Kosovë e kanë kundërshtuar këtë vendim, duke thënë se ai do të pamundësojë që ata të përdorin dinarin serb për të kryer pagesa me para të gatshme.

Në takimin që u mbajt në Presidencës serbe, Vuçiq dhe ministrat serbë kanë diskutuar për hapat e mëtejmë që do të ndërmarrë Beogradi lidhur me vendimin e BQK-së.

Më 29 janar, Vuçiq gjatë një takimi në Beograd me të dërguarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, kërkoi anulimin e vendimit të BQK-së.

Qeveria Kosovës ka argumentuar se vendimi i BQK-së është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, por Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera të QUINT-it – Italia, Gjermania, Britania dhe Franca – kanë thënë se ky vendim “ngre shqetësime në lidhje me ndikimin në veçanti në komunitetet me shumicë serbe”.

Lista Serbe – partia kryesore e serbëve në Kosovë, që gëzon mbështetjen e Serbisë – ka thënë se vendimi i BQK-së rrezikon mbijetesën e serbëve në Kosovë.

Në Kosovë, në të gjitha vendbanimet me shumicë serbe, popullsia përdor dinarin serb për të kryer pagesa dhe ata që punojnë në institucionet serbe në Kosovë, i marrin edhe pagat me dinarë.

Me dinarë paguhen edhe pensionet, sipas sistemit serb, si dhe shtesat për fëmijë dhe ndihmat sociale.

Në objektet tregtare, në zonat ku banojnë serbët në Kosovë, përveç euros, përdoret edhe dinari./REL

Shija e redaktorit

Nxënësit e Rahovecit e mirëpritën prezantimin e lektyrave nga “Dukagjini”

Fillim java, në Rahovec për dhjetëra nxënës të ciklit të ulët të shkollave fillore solli më të dashurit për ta, personazhet të cilat shumica...

E jashtëzakonshmja Distria Krasniqi, ia sjell Kosovës medaljen e artë...

Xhudistja Distria Krasniqi e ka fituar të artën në Grand Slam të Parisit në kategorinë deri në 52 kilogramë. Krasniqi kishte një rrugëtim të gjatë...

Promovohet libri i ri i Luan Tashit mbi Ali Pashë...

Më 5 shkurt (e enjte), në orën 18:30, në Librarinë Dukagjini, në sheshin “Nënë Tereza”, do të promovohet libri më i ri i studiuesit...

Të fundit nga rubrika