Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se Këshilli i Sigurisë Kombëtare i shtetit të tij do të mblidhet, pasi Gjykata në Bosnje e Hercegovinë dënoi me vendim të formës së prerë presidentin e entitetit të Republikës Srpska (RS), Millorad Dodikut.
Sipas Vuçiqit, pas këtij vendimi të marrë nga drejtësia në Bosnje, Serbia nuk ka qenë në një situatë “kaq të vështirë” dhe nuk është përballur “me presion kaq të madh” që nga viti 2008.
Siç tha ai, që nga viti 2008 – kur Kosova ka shpallur pavarësinë, vendim që Beogradi refuzon ta pranojë – Serbia është përballur me një sërë krizash, me vërshime, krizën e migrantëve, koronavirusin, luftën në Ukrainë, “provokime të ndryshme që në janë bërë në Kosovë, sulme për Srebrenicën” e shumë të tjera.
Më 1 gusht, Dodik është dënuar me vendim të formës së prerë për mosrespektim të vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë.
Trupi gjykues e ka konfirmuar aktgjykimin e shkallës së parë të 26 shkurtit, me të cilin Millorad Dodik është dënuar me një vit burgim dhe ndalim prej gjashtë vjetësh për ushtrimin e funksioneve politike.
“I gjithë shteti ynë – udhëheqja shtetërore dhe unë personalisht – sot jemi nën presion të madh. Gjithë pasdite, nga të huajt, të cilët duan reagimin e Serbisë”, tha Vuçiq.
Vuçiq tha se për çështjen e dënimit të Dodikut e ka thirrur një mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurisë Kombëtare për të shtunën.
Gjykata në Bosnje e Hercegovinë tha se aktgjykimi u është dërguar palëve më 1 gusht dhe kundër tij nuk lejohet ankesë.
Dodik, në një konferencë të jashtëzakonshme për media në Banjallukë, tha se nuk e pranon dënimin.
“Institucionet e RS-së do ta përcaktojnë qëndrimin e tyre për këtë çështje. Unë do të pranoj çdo vendim të Parlamentit, por këtë vendim nuk e pranoj”, tha Dodik.
Ai paralajmëroi se Kuvendi i RS-së do të miratojë vendime të reja dhe se duhet të hartohet një “plan i qartë për të dalë nga kjo situatë”, pa dhënë hollësi se për çfarë vendimesh bëhet fjalë.
Gjatë kësaj konference, Dodik tha se pret mbështetjen e Serbisë dhe se do t’u drejtohet edhe Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Ndërkaq, avokati i Dodikut paralajmëroi se do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese në Bosnje për të hedhur poshtë këtë aktgjykim.
Dodik është shpallur fajtor për nënshkrimin e dekretit për shpalljen e ligjeve që më herët ishin anuluar nga Përfaqësuesi i Lartë në Bosnje e Hercegovinë, Christian Schmidt.
Me këto ligje, organet legjislative të Republikës Srpska kishin tentuar të pengonin zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të Bosnjë e Hercegovinës dhe të Përfaqësuesit të Lartë në territorin e këtij entiteti.