Aleksandar Vuçiq është President i Serbisë, por 7 ditë para zgjedhjeve lokale në Kosovë, serbëve që jetojnë këtu, iu ka premtuar se në 10 ditët e ardhshme, do t’i hapin 400 vende pune në sektorin e shëndetësisë, në territorin e Kosovës.
Ky premtim as nuk është veprim i paparë më herët e as nuk është i papritur për Nenad Rashiqin, deputetin e vetëm serb, që haptas e kundërshton Vuçiqin.
Ministri në detyrë i pushtetit lokal, për TV Dukagjini tha se në çdo palë zgjedhje regjimi në Beograd premton qindra vende pune, e më pas konkurset përmbyllen me dhjetëra punësime të njerëzve që kanë lidhje me Listën Serbe.
Premtimi i vendeve të punës është vetëm njëra pjesë e planit për ndikim në zgjedhjet në Kosovë.
“Po ju nëse i përcjellin disa media të Serbisë, Petkoviq shembull këto ditë, në javën e kaluar, dhe jam i sigurt se do të vazhdojë edhe këtë javë, ka vizituar këto qendra i ka ftuar që ta kenë takime iu kanë ofruar saktë siç thash më herët transportin, ushqimin dhe mëditje parash. Sa? Unë e di se iu kanë thënë nga 100 euro secili person që vjen këtu të votojë prandaj merreni me rezerva se nuk ka me qenë aty por sa i kam dëgju unë informacionet jo-zyrtare ashtu po i ftojnë”, ka thënë Nenad Rashiq – Ministri në detyrë për Komunitete dhe Kthim.
Premtimi i Vuçiqit e prek fushën e shëndetësisë dhe arsimit, ndoshta dy fushat e vetme në të cilat Serbia ka ndikim dhe kontroll të plotë.
Studiuesi i konfliktit dhe medias, Abit Hoxha, thotë se ky deklarim është taktizim politik por edhe veprim që ka për synim ta prekë fushën e sigurisë.
“Vuçiqi llogarit në gabimet që i bën shteti i Kosovës, gabimet qoftë edhe këto të intervenimit, qoftë edhe këto kur nuk komunikohet mirë me BE-në, qoftë edhe këto kur institucionet e Kosovë bojnë pre, institucionet e Kosovës bijnë pre e provokimeve të tilla që të reagojnë, të shkaktojnë reagim më tepër prej institucioneve të BE-së, është çështje e njëfarë bullizmit politik por jo me potencialin që don me qenë, por me potencialin që do ta bëjë. Vuçiqi është njëfarë bulli politik i Kosovës, por Kosovë nuk duhet të bijë pre e provokimit të tillë”, ka thënë Abit Hoxha – Studiues i konfliktit dhe medias.
Në fillim të shtatorit, e ngarkuara me punë në Ambasadën amerikane, Anu Prattipati, kishte deklaruar se përfundimisht, në konsultim me komunitetin serb, institucionet paralele të udhëhequra nga Serbia, duhet të integrohen në sistemin e Kosovës.