Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Guxo kanë zyrtarizuar kandidaturën e ministrit në detyrë të Bujqësisë, Faton Peci, për kryetar të komunës së Mitrovicës, në zgjedhjet që do të mbahen më 12 tetor.
Mbështetja për Pecin është konfirmuar në një takim të përbashkët të strukturave lokale të të dy partive, në prani të krerëve qendrorë të partisë.
“Lëvizja VETËVENDOSJE! mbështet fuqishëm kandidaturën e Faton Pecit për kryetar të komunës së Mitrovicës. Më 12 tetor, Mitrovica guxon të vetëvendosë për fitoren e madhe në komunë.
Në mbledhjen e mbajtur sot kryesia e qendrës, drejtuar nga kryetari i qendrës së Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Mitrovicë, deputeti Armend Muja, vendosi unanimisht që të mbështesë kandidaturën e Faton Pecit nga Partia Guxo për kryetar të komunës.
Gjithashtu, në një atmosferë impozante, në prani të strukturave drejtuese të Partisë GUXO dhe Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Mitrovicë, në Shtëpinë e Kulturës, me prezencën e Kryeministrit të Republikës, njëherësh kryetar i LV-së, Albin Kurti, Zëvendëskryeministres, njëherësh Ministre e MPJD-së dhe bashkëkryetare e GUXO-s, Donika Gërvalla, ministrit Sveçla, deputetëve Muja, Bahtiri, Fejza, Avdyli, Kraki, Reshitaj, Statovci e Zyba si dhe Sekretarit Organizativ të LV-së Alim Rama u konfirmua mbështetja për nominimin e Faton Pecit si kandidat për kryetar të komunës së Mitrovicës.
Me mbështetje të fuqishme dhe të pakushtëzuar nga Lëvizja, Faton Peci vjen si zgjidhja më e mirë për Mitrovicën. Ai nuk është vetëm një emër i njohur për integritetin dhe përkushtimin e tij institucional, por edhe një prej ministrave më të suksesshëm të Qeverisë Kurti, i cili ka sjellë investime dhe reforma të thella në bujqësi, zhvillim rural dhe përkrahje për fermerët në çdo cep të vendit”, thuhet në njoftim e VV-së.