Demokracia në Veprim (DnV) ka publikuar rezultatet preliminare të zgjedhjeve të 9 shkurtit në Kosovë, duke monitoruar procesin në terren me 500 vëzhgues në 500 vendvotime përfaqësuese.
Sipas të dhënave të DnV-së, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka fituar 40.4% të votave (me një margjinë gabimi prej +/-1.44%). Pas saj renditet Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 21.7% (+/-1.45%), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me 17.5% (+/-0.97%), dhe koalicioni AAK-NISMA me 7.2% (+/-0.82%).
“Demokracia në Veprim vlerëson se i gjithë procesi i votimit, që nga hapja e vendvotimeve në orën 07:00 ka rrjedhur në atmosferë të qetë ndërsa votuesit kanë demonstruar një pjekuri të lartë qytetare dhe demokratike. DnV ka raportuar për ecurinë e procesit duke pasë në terren 500 vëzhgues të shpërndarë në 500 vendvotime sipas mostrës përfaqësuese.
Dalja e përgjithshme e votuesve deri në mbyllje të vendvotimeve ishte 44.1%, me margjinë gabimi +/- 0,84%. Këtu nuk janë të llogaritura dalja e votuesve që kanë votuar me kusht dhe atyre që kanë votuar nga jashtë vendit”, ka njoftuar DnV.
Përveç këtyre subjekteve kryesore, Lista Serbe ka siguruar 5.4% të votave, Koalicioni për Familjen 2.4%, ndërsa SPO ka marrë 0.6%.
Edhe exit poll-i i UBO Consulting, i transmetuar në Debat Plus, ka nxjerrë rezultate të ngjashme: LVV me 40.3%, PDK me 21.4%, LDK me 19.3%, dhe AAK-NISMA me 7.6%.
Sipas këtyre të dhënave, ndarja e mandateve në Kuvendin e Kosovës parashikohet si vijon: LVV me 46 deputetë, PDK me 24, LDK me 22, AAK me 8 dhe 20 mandate të tjera për minoritetet.