Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar se “po mbështetemi te Amerika”, vetëm pak kohë para takimit mes presidentit amerikan Donald Trump dhe homologut rus Vladimir Putin në Alaskë.
Në një postim në rrjetet sociale, Zelensky theksoi se Kievi po forcon vijën e frontit rreth qytetit strategjik të Pokrovskut.
Ai bëri të ditur se pret të marrë gjatë ditës një raport të shërbimeve të inteligjencës mbi “qëllimet aktuale të palës ruse” dhe përgatitjet e Moskës për takimin në Alaskë.
“Me të vërtetë, bastet janë të larta”, u shpreh ai, duke iu referuar një mesazhi të mëparshëm të Trumpit në rrjetet sociale.
“Gjëja kryesore është që ky takim të hapë një rrugë të vërtetë drejt një paqeje të drejtë dhe një diskutimi substancial mes liderëve në një format trilateral – Ukraina, Shtetet e Bashkuara dhe Rusia. Është koha të përfundojë lufta dhe hapat e nevojshëm duhet t’i ndërmarrë Rusia. Ne po llogarisim te Amerika. Jemi të gatshëm, si gjithmonë, të punojmë sa më produktivisht të jetë e mundur”, shtoi Zelensky.
Takimi mes Trumpit dhe Putinit është planifikuar të mbahet rreth orës 21:30, sipas kohës lokale.