Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka bërë të ditur një intervistë se do të ishte gati të jepte dorëheqjen pasi të mbaronte lufta me Rusinë.
“Nëse e përfundojmë luftën me rusët, po, jam gati të mos shkoj (në zgjedhje) sepse nuk është qëllimi im, zgjedhjet. Doja shumë, në një periudhë shumë të vështirë, të isha me vendin tim, të ndihmoja vendin tim. Qëllimi im është të përfundoj luftën”, tha Zelensky, shkruan Reuters, transmeton Dukagjini.
Zelensky tha se do t’i kërkonte parlamentit të Ukrainës të organizonte zgjedhje nëse arrihej një armëpushim.
Zgjedhjet presidenciale të planifikuara për në vitin 2024 u pezulluan në përputhje me ligjin ushtarak, të futur në Ukrainë pas fillimit të pushtimit të plotë të Rusisë në shkurt të vitit 2022.
Gjatë më shumë se tre vjet e gjysmë lufte, Zelensky ka ruajtur një nivel të lartë besimi publik. Ai është vazhdimisht në vëmendjen e publikut nëpërmjet mesazheve të përditshme në mediat sociale, vizitave tek ushtarët pranë vijës së frontit dhe diplomacisë ndërkombëtare.
Një sondazh i kryer në fillim të shtatorit nga Instituti Ndërkombëtar i Sociologjisë i Kievit tregoi se rreth 59% e ukrainasve i besonin Zelenskyt dhe rreth 34% e të anketuarve nuk i besonin atij.