Zëri i ndërgjegjes dhe tregimi i dhëmbëve

Partia Evropiane e Gjelbër me rastin e përvjetorit të parë të tragjedisë në stacionin hekurudhor të Novi Sadit, ku humbën jetën 16 persona dhe që nxiti protesta paqësore në mbarë vendin, deklaroi se Evropa duhet të qëndrojë në krah të popullit që kërkon të vërtetën dhe drejtësinë, duke theksuar se korrupsioni dhe represioni i regjimit aktual po rrezikojnë të ardhmen e të gjithëve në Serbi.

Ky është një zë i ndërgjegjes në mes të një kujdesi jo fort të madh të Evropës për faktin se në territorin e saj po zhvillohet një diktaturë e hapur e një regjimi mafioz të Aleksandar Vuçiqit.

Në këtë pakicë zërash kritikë evropianë kundër terrorit të regjimit autoritar serb, veçohet zëri i bashkëkryetares së Partisë së Gjelbër, Vule Ceci, e cila deklaroi se institucionet evropiane duhet të ushtrojnë presion ndaj presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që të ndalë represionin dhe të mundësojë zgjedhje të lira e të ndershme.

“I vajtojmë viktimat e Novi Sadit. Qëndrojmë krah për krah me qytetarët që kërkojnë të vërtetën dhe drejtësinë,” – thuhet në deklaratën e Partisë Evropiane të Gjelbër, anëtare e grupit Të Gjelbrit/EFA në Parlamentin Evropian.

Ceci shtoi se qytetarët e Serbisë gjatë vitit të kaluar kanë kërkuar llogaridhënie, transparencë dhe reforma demokratike, dhe se Evropa nuk mund të mbyllë sytë para strukturave të korrupsionit dhe represionit politik të regjimit të Vuçiqit (SNS), të lidhura me Partinë Popullore Evropiane, pasi kjo po rrezikon të ardhmen sociale, ekonomike dhe mjedisore të të gjithëve në Serbi.

Ajo shtoi se fakti që studentët serbë hynë në përzgjedhjen e ngushtë për Çmimin Saharov ka qenë një hap shumë i rëndësishëm në rritjen e vetëdijes dhe theksimin e nevojës për veprim të BE-së.

Ceci, përndryshe, mori pjesë të dielën, më 2 nëntor, në një tubim përkujtimor në Bruksel, i cili u mbajt në orën 11:30 para stacionit kryesor hekurudhor.

Ndërkaq, bashkëkryetari tjetër i të Gjelbërve, Kiran Kaf, deklaroi se guximi i studentëve dhe i shoqërisë civile serbe jep shpresë për të gjithë ata që besojnë në demokraci dhe drejtësi.

“Ata e meritojnë mbështetjen e plotë të Evropës, e jo heshtjen apo vetëkënaqësinë,” tha Kaf.
Ai shtoi se protestat kanë vazhduar në gjithë Serbinë pavarësisht “frikësimit dhe dhunës brutale policore,” me kërkesa për hetim të pavarur, përgjegjësi dhe mbrojtje të të drejtave themelore.

“Të Gjelbrit Evropianë mbështesin kërkesat legjitime dhe u bëjnë thirrje autoriteteve serbe që të ndalojnë çdo formë represioni ndaj protestuesve paqësorë,” tha Kaf.

Ndërkohë, studentët, para protestës në Novi Sad, e refuzuan ftesën hipokrite të Vuçiqit për dialog dhe i dërguan mesazhin se mund t’u drejtohet vetëm me një dorëheqje të parevokueshme. Më pas pasoi protesta madhështore dhe më e madhe ndonjëherë e shtresave apolitike, nxënësve, studentëve dhe familjeve, e mbajtur në Novi Sad.

Mbi një milion protestues kërkuan zgjidhje gjyqësore dhe largimin nga pushteti të “tiranit më të madh të Ballkanit”, Aleksandar Vuçiqit.

Qeveria e tij, e tronditur në themel, po përpiqet të mbijetojë me çdo kusht, duke reaguar me teori konspirative, kundërprotesta dhe masa represive. Por mbështetja që ai gëzon po shteron.

Lëvizja masive protestuese, brenda një viti, ka tronditur thellë potencialin elektoral të Partisë Përparimtare Serbe (SNS).

Brezi i ri, i cili më parë shihej si apolitik, tani është bërë shtylla e protestave demokratike.

Zemërimi i përgjithshëm pas tragjedisë në Novi Sad është shkrirë me kohë në një pakënaqësi të thellë ndaj gjendjes së rëndë në vend: inflacionit, krizës energjetike dhe mungesës së perspektivës.

Populli i revoltuar nuk i beson më gënjeshtrave të Aleksandar Vuçiqit, politikës së tij kriminale, as drejtësisë e as mediave.

Prandaj ai heziton të shpallë zgjedhje dhe do ta bëjë këtë vetëm nëse do të jetë i sigurt se mund t’i manipulojë, duke sjellë njerëz me autobusë në mitingje për të marrë një pleskavicë e për të bërtitur “Aco, Srbine!”.

Ky ujë i ndotur i Vuçiqit nuk mund të pastrohet me asnjë ujë tjetër.

Kjo e keqe mund të shkatërrohet vetëm me zgjedhje demokratike nën mbikëqyrjen e rreptë të Evropës.

Dhe këtë, duke mos u përzier në baltë me çdo “derr” që e pëlqen atë luftë, por duke treguar dhëmbët.

A mund të jetohet në këtë Serbi duke duruar pafundësisht terrorin dhe dhunën e regjimit mafioz serb?