Edon Zhegrova ishte protagonist në rikthimin e Juventusit në përballjen dramatike ndaj AS Roma, që përfundoi me barazim 3:3.
“Zonja e Vjetër” ishte në disavantazh kur Zhegrova u aktivizua nga banka rezervë, por hyrja e tij ndryshoi ritmin e lojës dhe solli dy golat e barazimit.
Në golin e dytë të Juventusit, Zhegrova harkoi saktë nga krahu i djathtë, ndërsa topin e larguar me kokë nga mbrojtësi i Romës e shfrytëzoi Jeremie Boga, i cili e dërgoi në rrjetë.
Ndërkohë, në minutën 90+3, Zhegrova nga një goditje e lirë sërish nga krahu i djathtë gjuajti topin në zonë dhe Federico Gatti realizoi për 3:3, duke i siguruar Juventusit një pikë në sekondat e fundit.
Zhegrova la gjurmë të menjëhershme në lojë, duke qenë i përfshirë drejtpërdrejt në dy nga tre golat e skuadrës së tij dhe duke dëshmuar ndikimin e madh që ka.