Zjarret që kanë përfshirë Turqinë prej javësh kanë arritur të kërcënojnë drejtpërdrejt Bursën, qytetin e katërt më të madh të vendit, duke detyruar qindra banorë të largohen nga shtëpitë e tyre në orët e para të së dielës.
Sipas autoriteteve lokale, zjarret shpërthyen gjatë natës në malet e pyllëzuara që rrethojnë Bursën në veriperëndim të vendit, duke përhapur një “shkëlqim të kuq” në qiellin e natës mbi periferi. Zyra e guvernatorit të Bursës bëri të ditur se 1,765 persona janë evakuuar në mënyrë të sigurt nga fshatrat në verilindje të qytetit, ndërkohë që mbi 1,100 zjarrfikës janë angazhuar në përballjen me flakët.
Për shkak të situatës kritike, autostrada që lidh Bursën me kryeqytetin Ankara është mbyllur, ndërsa pamjet televizive kanë treguar një peizazh të zymtë, ku dikur ndodheshin ferma dhe pyje me pisha.
Deputeti i opozitës për këtë provincë, Orhan Saribal, e ka përshkruar skenën si “një apokalips”.
Në mëngjes, një dobësim i erërave solli një lehtësim të përkohshëm për ekipet e zjarrfikësve, të cilët vazhdojnë përpjekjet për shuarjen e zjarreve.
Turqia po përballet me një krizë të thellë mjedisore: vetëm të shtunën, ekipet përballuan 76 vatra zjarri të ndara në mbarë vendin. Ministri i Pylltarisë, Ibrahim Yamukli, tha se zjarret po nxiten nga temperaturat e larta të pazakonta për stinën, kushtet e thata dhe erërat e forta.