Zjarri në diskotekën e Koçanit, miratohet aktakuza për 34 persona dhe 3 kompani

Gjykata Themelore Penale në Shkup ka miratuar në tërësi aktakuzën për zjarrin tragjik që përfshiu diskotekën “Pulse” në Koçan, ngjarje që konsiderohet si një nga fatkeqësitë më të mëdha në historinë e Maqedonisë së Veriut.

Si pasojë e zjarrit, i cili ndodhi natën mes 15 dhe 16 marsit, humbën jetën 62 persona dhe mbi 200 të tjerë u plagosën.

Në bankën e të akuzuarve do të ulen 34 persona dhe tre kompani, përfshirë ish-ministra të Ekonomisë, ish-drejtorë të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim (DMSH), ish-kryetarë komunash, inspektorë dhe përfaqësues të kompanive që menaxhonin diskotekën.

Në aktakuzë janë ish-ministrat e Ekonomisë Kreshnik Bekteshi dhe Valon Saraçini, një sekretar shtetëror dhe pesë zyrtarë nga kjo ministri, e cila është kompetente për dhënien e licencave për klubet e natës.

Hetimi kishte përfshirë fillimisht edhe ish-ministrat Bekim Neziri dhe Driton Kuçi, por procedurat ndaj tyre u ndërprenë për mungesë provash.

Për tre kryetarë të Komunës së Koçanit: Ljubço Papazov, që ishte në detyrë në momentin e ngjarjes, dhe paraardhësit e tij Nikollço Iliev dhe Ratko Dimitrovski prokuroria thotë se ishin në dijeni për funksionimin ilegal të lokalit, i cili nuk ishte i regjistruar sipas Ligjit për veprimtari gastronomike, por megjithatë kishin lejuar aktivitetin dhe kishin pranuar pagesat për ushtrimin e veprimtarisë.

Po ashtu në mesin e të akuzuarve është edhe Shaban Saliu, aktualisht ministër pa portofol dhe kandidat për kryetar të Komunës së Shuto Orizares në zgjedhjet lokale të 19 tetorit.

Ai akuzohet në cilësinë e ish-drejtorit të DMSH-së, së bashku me tre ish-drejtorë të tjerë dhe një inspektor të përgjithshëm të kësaj drejtorie.

Lista e të akuzuarve përfshin gjithashtu inspektorë lokalë dhe ndërtimorë të Komunës së Koçanit, si dhe pjesëtarë të sigurimit të diskotekës, të cilët akuzohen për neglizhencë dhe mosrespektim të detyrimeve ligjore që mund të kishin parandaluar tragjedinë.

Sipas Gjykatës, lënda është shpërndarë te gjyqtari kompetent për vijimin e procedurave dhe data e fillimit të gjykimit do të njoftohet më vonë.

Të gjithë të akuzuarit përballen me veprën penale të “shkaktimit të veprave të rënda kundër sigurisë së përgjithshme”.

Tre nga ta janë pronarë dhe administratorë të kompanive Klasik DM – Koçan dhe MMMM Kafe – Koçan, të cilat ushtronin aktivitet gastronomik në objektin fatkeq që prej dhjetorit të vitit 2012.

Në listën e të akuzuarve është edhe vëllai i pronarit të diskotekës, përgjegjës për shitjen e biletave dhe kontrollin e numrit e moshës së vizitorëve.

Sipas Prokurorisë, në natën tragjike në ambientet e “Pulse” ndodheshin mbi 500 persona, shumë më tepër se kapaciteti i lejuar.

Shija e redaktorit

Përballja e madhe për Prishtinën: Rama, Çeku e Ismaili më...

Më 9 tetor, e enjte në Debat plus, do të zhvillohet një debat mes tre kandidatëve për kryetar të Prishtinës. Pjesëmarrjen e ka konfirmuar sot...

”Lufta e UÇK-së ishte një pelegrinazh”- Ish-komandant “Remi”: Në UÇK...

Rrustem Mustafa, ish-komandanti i UÇK-së për Zonën Operative të Llapit, është pyetur për Albin Kurtin nëse është veteran i UÇK-së, pasi ai e ka...

Ali Ahmeti: Dëshmia e James Rubin çmontoi propagandën kundër UÇK-së

Lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, ka reaguar pas dëshmisë së dhënë nga James Rubin në gjykimin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë...

Të fundit nga rubrika