Në lagjen Emshir të Prishtinës, nata e kaluar nuk solli qetësi por alarm dhe flakë në orët e vona.
Një banesë u përfshi nga zjarri, duke lënë pas tym, erë djegieje dhe një ndërtesë që sot ngjan më shumë me një vend të braktisur.
Banorët janë larguar mbrëmë nga hyrja kryesore dhe e vetme e ndërtesës, në mungesë të një daljeje emergjente.
Zjarri mbrëmë u vlerësua masiv e për rrjedhojë, në lokalizimin e tij u angazhuan staf shtesë.
“Kur kanë shku në vendin e ngjarjes ekipet, është pa që aty nuk është vetëm një banesë por është e përfshirë edhe kulmi i banesave. Ishte i vështirë reagimi në të sepse edhe lartësia e bën të vetrn sepse ishte mbi katin e 10. Kemi angazhu edhe staf shtesë. S’ka pas të lënfuar por ka pasur zjarrfikës dhe policë që kanë kërkuar ndihmë mjekësore jo mga lëndimet por nga pasojat gjatë angazhimit” ka deklaruar Mal Gashi, Komandant i Brigadës së Zjarrfikësve.
Pas inspektimit nga afër të dëmeve të premten, komuna e Prishtinës është shprehur e gatshme të ndihmojë me kompensime dhe jo vetëm.
“Ka fillu hetimi i shkaktarit të zjarrit, kjo është faza e parë. Pastaj do vie komisioni për vlerësimin e dëmeve i cili do bëj vlerësimin dhe ne si kryeqytet do i ndihmojmë banorëve me kompenzimin. Shkaktari është herët të flitet. Do të shikohet për të gjithë banorët që nuk kanë mundësi banimi, ne si komunë do e mundësojmë këtë”, deklaroi Lulzim Fushtica, Drejtor për Siguri dhe Emergjenca.
Problematikë për profesorë të inxhinierisë në raste të kësaj natyre, vlerësohet të jetë mungesa e daljeve emergjente, gjë e cila mungon në pjesën dërmuese të banesave kolektive, siç ishte edhe ky në Emshir.
GRAFIKË: Naser Kabashi, profesor i ndërtimtarisë
“Në aspektin e temperaturave të larta, ndikimi mund të jetë më i theksuar në sigurinë e instalimeve elektrike sesa në materialet ndërtimore të aplikuara në strukturë. Në rast të shkaktimit të zjarrit, efekti mund të përcillet te elementet e drurit, plastikës dhe materialeve të tjera, kryesisht në mënyrë sipërfaqësore. Daljet emergjente duhet të jenë pjesë e projekteve, me theks të veçantë shkallët për evakuim emergjent, të cilat vërehet se mungojnë në objektet kolektive. Një tjetër element me rëndësi është qasja në objekt, e cila lidhet me infrastrukturën e përgjithshme dhe, në zonat me dendësi të lartë ndërtimi, paraqet një problematikë të veçantë. Qasja emergjente duhet të sigurohet për intervenime në rast të zjarrit, problemeve të shëndetit dhe gjithsesi në rast të fatkeqësive. Infrastruktura dhe daljet emergjente duhet të jenë obligim i institucioneve që japin leje ndërtimi”, deklaroi Naser Kabashi, profesor i ndërtimtarisë.
Sipas Ligjit për ndërtim dhe rregullores teknike për mbrojtje nga zjarri në Kosovë, secila ndërtesë mbi dy kate, duhet të posedojë shkallët emergjente në të cilat, secili kat ka qasje.