Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka njoftuar se Gjykata Komerciale – Dhoma Shkalla e Dytë, ka aprovuar ankesën e saj dhe ka ndryshuar aktgjykimin e Gjykatës Komerciale – Dhoma Shkalla e Parë, duke refuzuar kërkesën e paditësit për shtyrjen e liberalizimit të tregut të energjisë elektrike.
“Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka pranuar sot nga Gjykata Komerciale – Dhoma Shkalla e Dytë, Aktvendimin lidhur me masën e sigurisë për çështjen e liberalizimit të tregut të energjisë elektrike. Aktvendimi i Gjykata Komerciale – Dhoma Shkalla e Dytë ka Aprovuar ankesën e ZRrE dhe ka ndryshuar pikën IV të Aktgjykimit KA.nr.301/25 të Gjykatës Komerciale – Dhoma Shkalla e Parë, me ç’rast ka Refuzuar padinë e paditësit për shtyrjen e liberalizimit të tregut të energjisë elektrike”, thuhet në njoftim.
ZRRE ka theksuar se procesi i liberalizimit të energjisë është kryer në përputhje të plotë me ligjin, në mënyrë transparente dhe të paanshme, dhe kjo vendimarrje e gjykatës vërteton ligjshmërinë e të gjitha hapave të ndërmarrë.
ZRRE ka bërë thirrje te konsumatorët komercialë që nuk kanë lidhur ende kontrata furnizimi me energji elektrike, të veprojnë pa vonesë dhe të zgjedhin një nga furnizuesit e licencuar të publikuar në faqen zyrtare të ZRRE-së.
Sipas ZRRE-së konsumatorët që nuk nënshkruajnë kontrata deri më 16 gusht 2025 do të ndërpriten nga rrjeti energjetik.