Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka sqaruar kuptimin dhe zbatimin e borxhit të keq në kuadër të sistemit tarifor, pas kërkesës së KESCO-s për rritjen e tij në rreth 5%.
ZRRE ka theksuar se borxhi i keq konsiderohet vetëm pjesa e detyrimeve që mbetet realisht e paarkëtueshme, edhe pas ndjekjes së të gjitha procedurave ligjore dhe mekanizmave të arketimit.
“Borxhi i keq është një element i rregulluar qartë në Rregullën për Vendosjen e të Hyrave të Furnizuesit me Shërbim Universal dhe zbatohet prej vitesh në të gjitha proceset tarifore, për të siguruar që tarifat të reflektojnë kosto reale dhe të verifikuara, si dhe të mbrojnë konsumatorët që paguajnë rregullisht. Borxh i keq konsiderohet vetëm ajo pjesë e detyrimit financiar, qe edhe pas ndjekjes së të gjitha procedurave ligjore dhe pas shterimit te te gjithë mekanizmave ligjore te arketimit, mbetet realisht i paarkëtueshem”, thuhet në njoftim.
ZRRE nuk i pranon automatikisht kërkesat e operatorit, sepse çdo kërkesë i nënshtrohet analizës dhe vlerësimit profesional bazuar në fakte të verifikuara, jo supozime.
Për këtë arsye, propozimi i KESCO-s për rritjen e borxhit të keq në 5% është konsideruar i papranueshëm.
Sipas projeksioneve të fundit, të dhënat tregojnë një përmirësim të arkëtimit pas pandemisë. Bazuar në studime paraprake, ZRRE ka vendosur që niveli i borxhit të keq të jetë: 1.8% për vitin 2025, 1.6% për vitin 2026, 1.4% për vitin 2027.
ZRRE siguron qytetarët se vendimet tarifore nuk merren për të mbrojtur mospagesën, por për të garantuar stabilitetin e furnizimit.
Te gjitha dokumentet qe kane te bëjnë me proceset tarifore mund te sigurohen përmes linkut ne vijim: https://www.ero-ks.org/…/proceset-e-shqyrtimeve-tarifore