Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE), ka deklaruar se kërkesat për pezullimin e procesit të liberalizimit të tregut të energjisë elektrike janë refuzuar nga gjykatat kompetente.
Sipas ZRRE-së, pas hyrjes në fuqi të dispozitave për hapjen e tregut, disa konsumatorë individualë dhe Oda Ekonomike kanë ushtruar padi në Gjykatën Komerciale dhe në Gjykatën Themelore, duke kërkuar ndalimin e këtij procesi.
Por, sipas ZRRE-së të gjitha kërkesat për masa të përkohshme janë refuzuar si të pabazuara.
Konkretisht, në njoftimin e ZRRE-së thuhet se Gjykata Themelore në Prishtinë ka refuzuar kërkesën e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë për ndalim të liberalizimit, duke e konsideruar njoftimin e ZRRE-së të datës 12 mars 2025 si informues dhe jo detyrues.
“ZRrE rikonfirmon faktin se, në të gjitha proceset e konflikteve administrative të inicuar nga palët në procedurë, gjykatat kompetente kanë refuzuar si të pabazuara kërkesat për pezullimin e zbatimit të Njoftimeve për dalje në tregun e hapur të energjisë elektrike. ZRRE informon publikun se Gjykata Themelore në Prishtinë-Departamente për Çështje Admnsitrative me Aktvendimin A.nr. 1839/2025 të datës 19.06.2025 ka refuzuar propozimin e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës, për caktimin e masës së sigurisë ndaj Njoftimit Publik për Liberalizimin e Tregut të Energjisë të datës 12.03.2025, i cili ka pasur karakter informues”, thuhet në njoftimin e ZRRE-së.
ZRRE ka theksuar se vetëm në një rast të veçantë, Gjykata Komerciale ka miratuar përkohësisht një propozim të paditësit, por ky vendim nuk ndikon në pezullimin e përgjithshëm të procesit dhe nuk është ende i formës së prerë.
Po ashtu, nga ana e tyre theksohet se liberalizimi bazohet në Ligjin për Energjinë Elektrike, duke përfshirë vetëm ndërmarrjet që kanë mbi 50 të punësuar ose qarkullim mbi 10 milionë euro në vit.
Gjatë ditës, Oda Ekonomike e Kosovës njoftoi se Gjykata Komerciale ka vendosur për pezullimin e njoftimit të ZRRE-së lidhur me daljen e detyrueshme të bizneseve në tregun e lirë të energjisë elektrike.