Tri javë pasi që ministri në detyrë i Bujqësisë, Faton Peci u intervistua në cilësinë e të dyshuarit për dhënien me qira të fabrikës për përpunimin e nënprodukteve shtazore, Prokuroria ka vazhduar me intervistimin e dëshmitarëve.
Këtë të mërkurë, në objektin e Prokurorisë Speciale është paraqitur zv.kryeministri në detyrë, Besnik Bislimi.
Prokurori i rastit, shpjegoi detaje nga marrja në pyetje.
“Ju e dini që jemi në fazën fillestare edhe marrja në pyetje vazhdon, procesi vazhdon.. në cilësinë e dëshmitarit, i është përgjigjur të gjitha pyetjeve intervistimi është kryer vazhdojmë me veprime tjera”, deklaroi Shala
Debat Plus e pastaj edhe Kallxo.com raportuan sesi Ministria e Bujqësisë kishte lidhur kontratë për Fabrikën e mbetjeve shtazore, përfshirë atë se vëllai i zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, Florin Bislimi kishte punuar për një Kompani që ishte në pronësi të Kompanisë “Fitorja”, që është në pronësi të Tahir Malokut, babait të aksionarit të Kompanisë fituese të Kontratës, të nënshkruar nga ministri i Bujqësisë Faton Peci.
Vet ministri Peci në muajin maj kishte përmendur se dy herë u ftua për këtë çështje nga Bislimi në zyrë, me arsyetimin se ai merrej me çështje të integrimit evropian, dhe kërkesa për funksionalizim të Fabrikës vinte edhe nga BE-ja.
Vetë Bilsimi e as avokati i tij, që ishte me të brenda pas përfundimit të intervistimit nuk u ndalën të flasin për media.
Megjithatë, Bislimi pastaj zgjodhi Facebookun të jap versionin e tij për këtë çështje e edhe të kritikoj mediat.
“Sot isha në prokuri i ftuar në cilësinë e dëshmitarit në hetimet e prokurorisë rreth funksionalizimit të fabrikës për nënproduktet shtazore në Drenas. Intervista zgjati diku 1 orë e 30 minuta dhe përgjatë kësaj kohe nuk kishte asnjë pyetje që mund të cilësohet si pyetje drejtuar një dëshmitari. Poashtu arrita të konfirmoj që të gjitha informacionet që prezantova sot kanë mund të grumbullohen shumë lehtë pa patur nevojë fare për intervistim. Do të kishte mjaftuar një studim minimal për detyrat dhe përgjegjësitë e zëvendëskryeministrit brenda portfolios së integrimeve evropiane dhe një shfletim i shpejtë i raporteve për vendin ndër vite nga Komisioni Evropian. Nisur nga fakti se hyrja e ndërtesës ku u mbajt intervista ishte vërshuar nga portalet, gjë që nuk ndodh më raste të tjera kur ftohen dëshmitarët, dhe nga përvoja e nxjerrjes në media të lajmit për intervistim saktësisht kur po zhvillohej takimi trilateral i dialogut në Bruksel, del i pashmangshëm përfundimi se qëllimi parësor i kësaj interviste ka qenë prodhimi i lajmit medial, ku eksponentë të qeverisë bëhen pjesë e titujve bashkë me termin “skandal”. “Skandal” që origjinën nuk e ka as në Ministri të linjës e as në prokurori, por te eksponentë të medias. Kjo e vendosë prokurorinë në një perspektivë jashtëzakonisht negative karshi përgjegjësive që ka dhe orientimit që ka zgjedhur të ndjekë. Do të ishte me interes të shumëfishtë që kjo qasje të rishikohet”, ka shkruar Bislimi.
Muajin e kaluar Policia e Kosovës kishte kryer bastisje në objektin e Ministrisë së Bujqësisë, e intervistoi ministrin Peci në cilësinë e të dyshuarit për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Po ashtu për këto dyshime ishte bastisur Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë e ishte intervistuar kryeshefi i saj.