Gjykata Themelore në Prishtinë e ka shpallur fajtor Millorad Gjokoviqin për krime lufte kundër popullsisë civile dhe e ka dënuar me 10 vjet burgim, raporton Ekonomia Online.
Aktgjykimin e ka shpallur kryetarja e trupit gjykues, gjyqtarja Donika Shala-Abdyli.
Sipas vendimit, Gjokoviq është shpallur fajtor për veprime të kryera më 7 maj 1999, në fshatin Ozdrim të Komunës së Pejës, në cilësinë e policit rezervë, së bashku me persona të tjerë, duke shkelur rregullat e së drejtës ndërkombëtare.
Dënimi është shqiptuar në bazë të dispozitave të Ligjit Penal të ish-Jugosllavisë, ndërsa në të do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim.
Më 27 korrik të këtij viti, trupi gjykues kishte rihapur shqyrtimin gjyqësor në këtë rast, pasi në Institutin për Krimet e Kryera Gjatë Luftës në Kosovë nuk ishte gjetur deklarata e dëshmitares Nurije Krasniqi, të cilën ajo kishte thënë se e kishte dhënë në polici pas përfundimit të luftës.
Në atë kohë, gjyqtarja Shala-Abdyli kishte deklaruar se gjykata vlerësonte se nuk ishin shteruar të gjitha mundësitë për sigurimin e kësaj prove. Krasniqi kishte dëshmuar se kishte dhënë deklaratë në polici, por nuk e kishte kujtuar datën e saktë.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë, të ngritur më 23 qershor 2023, Gjokoviq akuzohej se gjatë viteve 1998-1999, si pjesëtar i forcave policore dhe ushtarake serbe, kishte kryer veprime kundër popullsisë civile shqiptare në Ozdrim dhe fshatrat përreth.
Aktakuza përfshinte akuza për vrasje, bastisje, rrahje, maltretime, arrestime, torturë, trajtim mizor e çnjerëzor, mbajtje në kushte skllavërie, dëbim dhe deportim të civilëve, si dhe plaçkitje, djegie e shkatërrim të shtëpive.
Sipas Prokurorisë, gjatë ofensivës në Ozdrim ishin vrarë gjashtë civilë shqiptarë. Tre civilë të tjerë, të plagosur nga të shtënat, fillimisht ishin dërguar në Spitalin e Pejës, por më pas ishin ekzekutuar dhe varrosur në fshatin Lutogllavë, thuhet në aktakuzë.
Po ashtu, pesë civilë shqiptarë ishin vrarë gjatë ofensivës, por trupat e tyre nuk ishin gjetur dhe ata vazhdonin të figuronin si persona të zhdukur.