Në vitet e fundit, në adresën e Gjykatës Kushtetuese u dorëzuan shumë kërkesa nga partitë politike, trajtimi i të cilave shpeshherë i dha kahje çështjeve politike.
Ndër të fundit, ishte aktgjykimi për dekretin për shpërndarjen e Kuvendit nga Presidentja Vjosa Osmani. Më 25 mars, Kushtetuesja vendosi që Kuvendi s’e kishte konsumuar afatin 60 ditor për zgjedhjen e presidentit, andaj konstatoi që deputetët kishin edhe 34 ditë kohë.
Vetëm një vit më herët, Kushtetuesja, mori një tjetër aktgjykim të rëndësishëm.
Pas zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025, Kuvendi assesi nuk po arrinte që ta zgjedhte kryetarin, me insistimin e Vetëvendosjes që në këtë pozitë ta vendos Albulena Haxhiun, madje edhe me votim të fshehtë.
Pikërisht kjo formë e votimit, u kontestua nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, të cilës Kushtetuesja i dha të drejtë, dukë lënë afat veç 30 ditor për zgjedhjen e Kryetarit, i cili në fund doli të jetë Dimal Basha.
Por, në të njëjtën seancë, u konstatua se Kuvendi bëri një tjetër shkelje të Kushtetutës – zgjedhjen e Nenad Rashiqit si nënkryetar nga komunitetet.
Kërkesat kaq të shpeshta nuk ishin më parë, sipas një ish-nënkryetari të këtij institucioni.
“Ka pasur tepër kërkesa, nga partitë politike e institucionet, duke e munduar më shumë këtë institucion. Por, besoj që gjykata e ka kryer mirë punën e saj”, ka thënë Kadri Kryeziu, Ish-nënkryetar i Gjykatës Kushtetuese.
Kështu, sipas Kadri Kryeziut, u shpërfaq papjekuri politike.
“mungesa e vetëdijes së kulturës politike dhe deputetëve, krijon premisa që kërkesat të shkojnë në gjykatë, meqenëse atë e konsiderojnë si shpëtim”, ka thënë Kadri Kryeziu, Ish-nënkryetar i Gjykatës Kushtetuese.
Krahas aktgjykimeve për dekretin e Presidentit apo zgjedhjen e kryetareve apo nënkryetarëve të Kuvendit, në Kushtetuese u kontestuan edhe ligjet e nxjerra pikërisht nga Kuvendi. Në Janar të vitit 2026, Kushtetuesja i rrëzoi hiç më pak se 13 ligje, ndër të cilat edhe ligjin për Byronë për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, që aktualisht është rikthyer në Kuvend për votim.