Shumica e karrigeve të ekzekutivit përfshirë atë të kryeministrit ishin të zbrazëta në seancën e së premtes.
Kryeministri i vendit, Albin Kurti, së fundmi udhëtoi jashtë vendit për takim pune, ndonëse brenda, ka shumë të tjera për t’i kryer, përfshirë gjetjen e një zgjidhjeje për çështjen e Presidentit.
Ani se në terren nuk po bëhet gjë të paktën publikisht, shefja e grupit të Vetëvendosjes, sërish shprehet optimiste.
“Kryeministri sot ka një prezantim, është në Londër siç jeni në njohuri, ndërkohë që besoj që edhe gjatë fundjavës por edhe shumë shpejtë do të vazhdojmë me takime”, deklaroi shefja e Grupit Parlamentar të VV-së, Arbërie Nagavci.
Por, sipas Mefail Bajqinovcit, një takim do të mbahet.
“Besoj që para datës 28 prill do ketë takime”, tha ai.
Ndërsa PDK-së ka pak gjasa që t’i dërgojnë ftesë të re.
“Ftesat janë dërguar, edhe kjo deklaratë këtu, duhet të konsiderohet ftesë për ta”, u shpreh deputeti i VV-së, Arbër Rexhaj.
Por, para kësaj pyetje, fare pak të interesuar janë dy deputetë tjerë të Vetëvendosjes.
Për disa opozitar, kjo qasje e Albin Kurtit është e qëllimshme.
Andaj, për kryetarin e AAK-së nuk ka dilemë që vendi është drejt zgjedhjeve.
“Jo ndoshta, por tanimë jemi në zgjedhje”, deklaroi kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj.
Të njëjtin mendim e ndanë edhe një deputet i PDK-së, parti e cila pret ftesë për takim.
“Po meqë kjo çështje është e mbyllur, meqë Kosova ka me shku në zgjedhje sipas interpretimit tim personal, ai mund të bëjë lojëra të tilla po që nuk kanë me pas efektin qysh e presin qytetarët”, tha deputeti i PDK-së, Artan Behrami.
Afati i fundit për votimin e Presidentit është 28 prill, sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, nëse kjo nuk bëhet vendi shkon automatikisht në zgjedhje.