Përkundër provave të forta që i lidhin me një prej akteve më të rënda terroriste të kryera në vendin tonë, tre të akuzuarit për rastin “Ibër Lepenci” thanë të mos ndihen fajtorë.
Ata u deklaruan përfundimisht në seancën fillestare, që u mbajt pas një kërkese të rrëzuar të mbrojtjes për përjashtimin e prokurorit të rastit, Bekim Kodraliu.Deklarimet e tyre, erdhën pasi Kodraliu lexoi aktakuzën, për veprat “Rrezikimi i rendit kushtetues me shkatërrimin apo dëmtimin e instalimeve dhe pajisjeve publike”, “Kryerja e veprës terroriste” dhe atë të spiunazhit.
”Dëshiroj të deklaroj se nuk ndihem fajtor për veprën penale, e cila më vihet barrë”, ka thënë Igor Dimoviq – I akuzuar.
Kryetari i trupit gjykues, Vesel Ismaili, ua rikujtoi atyre periudhën 30 ditore për kërkesat për hedhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave.
Por në seancë, u kuptua edhe një tjetër çështje: që të dy vëllezërit Viqentijeviqit, janë duke u hetuar edhe për vrasje nga Prokuroria Themelore e Pejës dhe këtë e bënë të ditur derisa u konfirmuan të dhënat e tyre personale.
Përkundër që për rastin në fjalë nuk ka ende aktakuzë, Nebojsha Vllajiq, avokati i Jovan Viqentijeviq, kërkoi që lëndët të bëhen bashkë.
”Kërkesë për bashkimin e procedurës penale ndaj klientit që po zhvillohet në Gjykatën në Pejë, ku akuzohet me vëllain për vrasje”, ka thënë Nebojsha Vllajiq – Avokat i Jovan Viqentijeviqit.
“Lidhur me kërkesat për hedhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave ne do t’i parashtrojmë në këtë gjykatë në formë të shkruar brenda afatit, por njëkohësisht do ushtrojmë kërkesë për bashkimin e procedurës penale ndaj të mbrojturit që po zhvillohet në Gjykatën Themelore të Pejës”, tha ai.
Por, kërkesa mori një kundërshtim të shpejtë nga prokurori Bekim Kodraliu, i cili potencoi se rasti është ende në fazën hetimore.
”Avokati është profesionist dhe duhet t’i kuptojë disa çështje luridike”, ka thënë Bekim Kodraliu – Prokuror në Prokurorinë Speciale.
“Ai (avokati) është profesionist dhe duhet t’i kuptojë disa çështje juridike. Procedura penale në Pejë është duke u zhvilluar, është procedurë nën hetim dhe nuk ka mundësi ligjore që e njëjta lëndë të bashkohet me lëndën që është vetëm duke u zhvilluar. Ne nuk mund të ndërhyjmë në kompetenca të Gjykatës Themelore në Pejë, ngase do të pengonim hetimin në Pejë”, ka thënë Bekim Kodraliu – Prokuror në Prokurorinë Speciale.
Bazuar në aktakuzën e Prokurorisë Speciale, vëllezërit Dragisha dhe Jovan Viqentijeviq më 29 nëntor 2024, ne fshatin Varagë, Komuna e Zubin Potokut, kishin vendosur rreth 20kg eksploziv në pjesën e kanalit të “Ibër- Lepencit”, ndërsa Igor Dimoviq, akuzohet për armëmbajtje pa leje.