Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues në rastin e vrasjes së të miturit L.B., ku të akuzuarit janë dënuar me burgim.
Sipas aktgjykimit, Eduard Ibrahimi është dënuar me 20 vite burgim për veprën penale të vrasjes, si dhe me 1 vit e 6 muaj burgim për armëmbajtje pa leje. Gjykata ka shqiptuar ndaj tij dënim unik prej 21 vite burgim.
Ndërkaq, Përparim Ibrahimi është dënuar me 11 muaj burgim, si dhe me gjobë prej 1 mijë euro për veprën penale të armëmbajtjes pa leje, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Po ashtu, Lirim Begolli është dënuar me 10 muaj burgim.
Aktgjykimi është shpallur të premten në ditën kur Prokuroria kërkoi dënimin ndërsa mbrojtja lirimin e të akuzuarve.
Në këtë rast, përveç Eduard Ibrahimit, Përparim Ibrahimit dhe Lirim Begollit, akuzohet edhe Egzon Matoshi, për të cilin procedura vazhdon të jetë e veçuar, pasi ai është i paarritshëm për gjykatën.
Sipas aktakuzës së ngritur më 18 nëntor 2020, Eduard Ibrahimi akuzohet se më 12 mars 2020, rreth orës 15:00, në Prishtinë, e ka privuar nga jeta të miturin L.B., dhe me atë rast me dashje ka vënë në rrezik jetën e të dëmtuarve R.G. dhe B.S.
Kurse të akuzuarit Egzon Matoshi, Lirim Begolli, Përparim Ibrahimi po akuzohen nga Prokuroria për veprën penale të dhënies së ndihmës kryerësit pas kryerjes së veprës penale dhe i akuzuari Përparim edhe për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.