Ish-emisari amerikan gjatë luftës në Kosovë, Christopher Hill, ka vazhduar sot dëshminë e tij në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, ku po merret në pyetje nga avokati i Hashim Thaçit, Luka Mishetiq.
I pyetur pse ka vendosur të dëshmojë në këtë proces, diplomati amerikan tha se nuk ka asnjë arsye të besojë se Thaçi ka qenë i përfshirë në aktivitete për të cilat akuzohet.
“Nuk kam arsye të besoj, dhe as nuk kam dëgjuar në atë kohë që ai të ketë urdhëruar aktivitete të paligjshme, dhe siç e kuptoj unë, ai është mbajtur i burgosur për një kohë të caktuar lidhur me këto çështje. Pra ndjeva, kur mu kërkua kjo gjë, pasi njerëzit më kontaktuan mua, që duhet të thosha atë që dija në lidhje me situatën”, ka deklaruar ai.
Avokati i Thaçit, Mishetiq, ka përfunduar marrjen në pyetje dhe tani e ka rendin avokati i Jakup Krasniqit, Aidan Ellis.
