Të paktën gjashtë persona kanë humbur jetën dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur pasi tornadot goditën shtetet amerikane të Michganit dhe Oklahomës, si pasojë e stuhive të forta që përfshinë disa pjesë të Shteteve të Bashkuara.
Zyrtarët njoftuan se katër persona humbën jetën në jug të Michiganit, mes tyre edhe një djalë 12-vjeçar, ndërsa dy të tjerë vdiqën në Oklahoma të premten. Ekipet e shpëtimit po vazhdojnë të vlerësojnë dëmet e shkaktuara, shkruan BBC, transmeton Dukagjini.
Stuhitë rrëzuan pemë, dëmtuan linjat e energjisë elektrike, goditën ndërtesa dhe shkulën çatitë e disa shtëpive.
Shërbimi Kombëtar i Motit paralajmëroi se moti i ashpër mund të vazhdojë edhe gjatë fundjavës, me rrezik për stuhi të fuqishme dhe përmbytje të shpejta nga rajoni i Great Plains deri në Teksas.
Në Miçigan, zyra e sherifit të qarkut Branch bëri të ditur se tre persona humbën jetën dhe 12 të tjerë u plagosën pranë qytetit Union City pasi një tornado goditi zonën të premten. Autoritetet paralajmëruan gjithashtu për ndërprerje të energjisë elektrike dhe mbyllje rrugësh gjatë fundjavës.
Rreth 80 kilometra larg, në qarkun Cass të Michiganit, autoritetet raportuan një viktimë dhe disa të plagosur.
“Disa struktura të mëdha – përfshirë shtëpi dhe objekte bujqësore – kanë pësuar dëme që variojnë nga dëmtime të mëdha strukturore deri në shkatërrim të plotë”, thuhet në një deklaratë të autoriteteve.
Gjithashtu u raportua se qindra persona kanë mbetur pa energji elektrike.
Sherifi i qarkut Cass, Clint Roach, njoftoi se 12-vjeçari Silas Anderson vdiq nga lëndime të lidhura me motin në Edwardsburg të Michiganit.
“Silas ishte i rrethuar nga familja në momentin e ndarjes nga jeta”, thuhet në një postim të zyrës së sherifit në rrjetet sociale.
Video të shpërndara në rrjetet sociale tregojnë vorbulla të mëdha ere që përshkojnë Union City dhe copa të mëdha mbeturinash që fluturojnë në një parking në qytetin Three Rivers.
Një banor lokal përshkroi momentin kur pa stuhinë duke u afruar.
“Pamë nga dritarja dhe e pamë tornadon duke kaluar përgjatë rrugës, aty ku është vajza ime, prindërit e mi dhe ku jetoj unë më poshtë,” tha një banor i Three Rivers për CBS News. “Isha shumë mirënjohës që Zoti mbrojti vajzën time, nënën, motrën dhe familjen time.”
Guvernatorja e Michiganit, Gretchen Whitmer, njoftoi se ka shpallur gjendje emergjente për qarqet Branch, Cass dhe St Joseph.
“Po punojmë me ekipet e emergjencës për të monitoruar situatën dhe për të koordinuar burimet për ata që janë prekur,” tha ajo.
“Mendimet e mia janë me familjet që humbën të dashurit e tyre dhe me banorët e Michiganit që u plagosën dje.”
Zyrtarët e menaxhimit të emergjencave thanë se ekipet lokale po vazhdojnë kërkimet në zonat e dëmtuara dhe kanë nisur përpjekjet për rimëkëmbje.
Ndërkohë, në Oklahoma, menaxheri i emergjencave të qarkut, Jeff Moore, tha se një tornado ka shkaktuar një shteg dëmtimi rreth 6.4 kilometra në qarkun Okmulgee, rreth 48 kilometra në jug të qytetit Tulsa.
“Po përpiqemi të arrijmë kudo sa më shpejt të jetë e mundur dhe të pastrojmë rrugët me shpejtësi,” tha Moore.
Dy viktima u raportuan në qytetin Beggs të Oklahomës, sipas zyrës së sherifit të qarkut Okmulgee.
Guvernatori i Oklahomës, Kevin Stitt, njoftoi se ka shpallur gjendje emergjente për qarqet Alfalfa, Creek, Grant, Major, Okmulgee, Rogers, Tulsa dhe Wagoner, për të siguruar mbështetje dhe burime për banorët e prekur nga stuhitë e forta.
