Policia e Kosovës ka evidentuar një numër shqetësues të rasteve të dhunës në familje brenda 24 orëve të fundit në disa komuna të vendit. Në disa prej këtyre rasteve, viktimat janë gra, ndërsa të dyshuarit janë familjarë të tyre, shumica burra.
Rastet janë trajtuar në koordinim me prokurorinë përkatëse dhe në disa raste është vendosur masa e ndalimit për të dyshuarit.
Në Gllogoc, më 28 korrik, është arrestuar një burrë kosovar nën dyshimin se ka ushtruar dhunë në familje ndaj një gruaje. Me vendim të prokurorit, ai është dërguar në mbajtje.
Po ashtu, një ditë më vonë, dy qytetarë raportuan për dhunë të ushtruar ndaj tyre nga një mashkull, për të cilin po zhvillohen hetime.
Në Obiliq, më 29 korrik, është raportuar një tjetër rast i dhunës familjare ku një burrë dyshohet se ka sulmuar një grua të afërt. Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.
Një rast tjetër i dhunës familjare është shënuar në Graqanicë, ku një burrë dhe një grua, pas një konflikti verbal, kanë ushtruar dhunë fizike ndaj njëri-tjetrit. Të dy kanë refuzuar trajtimin mjekësor dhe janë liruar pas intervistimit.
Në Gjakovë, janë raportuar dy raste serioze të dhunës në familje.
Në njërin rast, një burrë në gjendje të dehur dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj një gruaje dhe është dërguar në mbajtje.
Në rastin tjetër, tre persona, dy burra dhe një grua, janë arrestuar për dhunë ndaj një gruaje. Dy të dyshuarit janë dërguar në mbajtje, ndërsa njëra është liruar. Një armë zjarri me leje, me dy karikatorë dhe 69 fishekë, është konfiskuar nga njëri prej të dyshuarve, i cili dyshohet se ia kishte ekspozuar viktimës.
Një tjetër rast i dhunës në familje është regjistruar në Mitrovicën e Veriut, ku një burrë është arrestuar për dhunë ndaj një gruaje dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.
Autoritetet kanë bërë të ditur se të gjitha rastet janë duke u trajtuar me prioritet dhe nën mbikëqyrjen e organeve të drejtësisë.