Pas këtyre rasteve, Ministria e Punës, Familjes dhe Vlerave të Luftës Çlirimtare, në bashkëpunim me Inspektoratin Qendror të Punës, ka nisur në mëngjesin e së enjtes një aksion të gjerë inspektimesh në vendet e punës në të gjithë territorin e Kosovës, me qëllim rritjen e nivelit të sigurisë dhe shëndetit në punë, me fokus në sektorët me rrezikshmëri të lartë, si ndërtimtaria dhe aktivitetet e ngjashme.
Aksioni është duke u zhvilluar në bazë të vendimit të Ministrit dhe pritet të përfshijë shumicën e kapaciteteve njerëzore dhe logjistike të Inspektoratit, në një ndër ndërhyrjet më të gjera të këtij institucioni deri më tani.
U.d. i drejtorit ekzekutiv të Inspektoratit Qendror të Punës, Kastriot Jashari, tha se aksioni do të zgjasë 15 ditë dhe do të shtrihet në gjithë vendin.
“Siç e dini jemi në zbatim të vendimit të Ministrit të Punës, zotit Andin Hotit dhe mandatit ligjor të Inspektoratit Qendror të Punës. Sot fillon një aksion 15 ditor në gjithë territorin e Republikës së Kosovës. Ky aksion përveç tjerash është edhe në kuadër të mandatit tonë ligjor siç edhe e dini ju, dhe një aksion i tillë domethënë me shtrirje të tillë territoriale në të gjithë shtetin dhe me 90% të angazhimit të kapaciteteve tona të burimeve njerëzore dhe logjistike sipas të gjitha gjasave bëhet ndoshta për herë të, për herë të parë në kuadër të këtij institucioni”, tha ai.
Ai theksoi se qëllimi i aksionit është rritja e respektimit të rregullave ligjore nga bizneset dhe përmirësimi i kushteve të sigurisë për punëtorët.
“Qëllimi ynë është që të ushtrojmë autoritet në kuadër të mandatit ligjor për punën tonë që e kemi të përcaktuar me përshkrim të detyrave. Duhet kuptuar që bizneset, subjektet afariste, për ne janë partnerë. Por partneriteti ka detyrime dhe obligime. Por ka edhe respekt të parimeve dhe normave ligjore që duhet t’i bëjmë ne si shtetas. Në kuadër të kësaj ne po përpiqemi që të ndryshojmë disa praktika në mënyrë që të dihet rregulli i qartë në respektimin e kushteve të sigurisë së punës për të gjithë shtetasit tanë. Në përgjithësi sot fillon aksioni në tre rajone ose pjesë të Republikës së Kosovës. Me gjasë që do të fillohet në Prishtinë, në Ferizaj dhe në Fushë Kosovë, por kjo do të jetë domethënë në varësi të planit operativ që e kemi organizu si institucion dhe si kolegë domethënë me koordinimin e të gjithë akterëve tjerë dhe të ministrisë”, tha ai.
Ndërkaq, udhëheqësi i Divizionit për Rajonin e Prishtinës, Ahmet Delolli, bëri të ditur se aksioni do të zhvillohet në të shtatë rajonet e vendit me ekipe të shumta inspektuese.
“Atëherë siç e ceki edhe u.d. drejtori, plani operativ do të zhvillohet në të shtatë regjionet e Republikës së Kosovës. Me 15 ekipe inspektuese, inspektorë të angazhuar në terren 30, i cili do të zgjasë në 14 ditë vijuese të aksionit”, tha ai, transmeton EO.
Të mërkurën mbrëma një 48-vjeçar humbi jetën si pasojë e lëndimeve të marra në vendin e punës në zonën industriale në Shtime.
Vetëm dy ditë më herët, të hënën në Ferizaj, një 59-vjeçar kishte vdekur pasi kishte rënë nga një objekt në ndërtim. Kjo ishte vdekja e shtatë në vend të punës këtë vit.