Të hënën, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur në takim admiralin Stuart B. Munsch, komandant i Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s në Napoli.
Siç njofton Presidenca, admiralin Munsch, e para e vendit e ka falënderuar për mbështetjen e vazhdueshme të NATO-s në ruajtjen e stabilitetit dhe paqes në Kosovë dhe rajon.
Osmani ndër të tjera ka theksuar se institucionet e Kosovës mbeten të përkushtuara për bashkëpunim me NATO-n dhe KFOR-in kundër rreziqeve të sigurisë, si dhe për të kontribuuar në mënyrë të suksesshme për paqe dhe siguri në tërë territorin e Kosovës.
Po ashtu, ajo njoftoi admiralin Munsch se Forca e Sigurisë së Kosovës është në tranzicion dhe po zhvillohet profesionalisht në përputhje me standardet e NATO-s.
Presidentja Osmani ka theksuar se FSK-ja i mundëson Kosovës të bëhet një kontribuuese aktive në kuadër të sigurisë rajonale dhe globale.
Ndërkaq në raport me agresionin e Rusisë në Ukrainë, ajo ka theksuar se Kosova është plotësisht në linjë me sanksionet e BE-së dhe ShBA-së kundër Rusisë.