




Ish-presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli, ka reaguar për fjalimin e Kryeministrit Edi Rama, para Këshillit të Evropës për njollosjen që iu është bërë Kosovës nga raporti i Dick Marty-it, ku i pari i Shqipërisë, e ka quajtur trillim i cili ishte përgatitur nga kuzhinat inteligjente të Moskës ku pre e këtij mashtrimi kishte rënë institucioni për të drejtat e njeriut, Këshilli i Evropës.
Edhe kjo është arsyeja e reagimit të Pacollit i cili të parin e Qeverisë Shqiptare e cilëson sikurse avokatë të Kosovës.
“Sot Edi Rama ishte përsëri zëri i Kosovës! Pas fjalimit të tij në Këshill të sigurimit të OKB-së, sot në Këshill të Evropës”, ka thënë ai.

“Jam i impresionuar dhe krenar për fjalimin që mbajti dhe ku i kërkoi botës të tregonte se ku ndodhen këto të ashtuquajtura organe? Ku edhe një herë theksoi se UÇK-ja ishte në anën e popullit dhe një lëvizje për liri, dhe jo terroriste. Janë veprime si këto që kanë shumë domethënie për Kosovën dhe për të cilat ne të gjithë duhet të jemi mirënjohës. Faleminderit edhe një herë Kryeministër Rama!”, ka theksuar ish- presidenti i Kosovës Behgjet Pacolli.
Përveç Pacollit ka reaguar edhe ish- kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti i cili gjithashtu e kishte falënderuar Ramën për fjalimet e tij në Këshillin e Evropës, ku sipas tij edhe pse Kosova nuk është në këtë mekanizime ndërkombëtar zëri i saj, do të dëgjohet nëpërmjet Shqipërisë.
“Faleminderit Kryeministër Edi Rama për fjalën në Këshillin e Evropës.

Derisa Kosova të anëtarësohet në mekanizmat ndërkombëtarë, Shqipëria mbetet zëri ynë, krahas vendeve mike që kanë mbështetur përpjekjet e popullit të Kosovës për liri e pavarësi”, ka shkruar Avdullah Hoti në Facebook.
Po ashtu ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa e ka vlerësuar se Rama ka folur të vërtetën në Këshillin e Evropës.
“Në Asamblenë e Këshillit të Evropës u tha një e vërtetë e madhe nga goja e Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama. Sot, ai ishte zëdhënës me plot dinjitet i të vërtetës për Kosovën dhe luftëtarët e saj të lirisë”.

“Edi meriton përkrahjen dhe falënderimin tonë, të atyre që e duan dhe nuk e duan, sepse ai foli me argumente, kurse disa nga ne na ka kapluar urrejtja dhe inati primitiv. Edi u vu në mbrojtje të Kosovës, derisa udhëheqësit tanë po mbrojnë kolltukët e tyre”, ka shkruar në Facebook Mustafa.
Dhe lideri i Partisë Demokratik të Kosovës, Memli Krasniqi, ka shprehur mirënjohjen e tij ndaj, Ramës për mbrojtjen e Kosovës dhe luftën e saj çlirimtare.

“Është fat i madh për Kosovën që në këtë periudhë sfiduese, Shqipëria ka një kryeministër si Edi Rama – i cili nuk e humb asnjë mundësi që i jepet për të mbrojtur Kosovën, luftën tonë çlirimtare dhe të drejtën tonë të patjetërsueshme për liri dhe pavarësi”.
“Faleminderit Kryeministër Rama për qëndrimin dinjitoz dhe dashurinë e pakushtëzuar për Kosovën”, ka shkruar në Facebook Krasniqi.
Ai ka përfunduar suke thënë se “Populli i Kosovës të është mirënjohës”.




