Nagavci ripërsërit qëndrimin: Mësimi duhet të mbahet të shtunave

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, sërish ka theksuar se mësimi duhet të vazhdojë sipas planit të MAShTI-t, pasi nuk ka mënyrë tjetër

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka thënë se procesi mësimor i mbajtur të shtunën nuk është realizuar në tërësi shkaku i mosinformimit të duhur dhe presioneve nga më të ndryshmet.

Sipas ministres, mësimi duhet të vazhdojë sipas planit të MAShTI-t, pasi mënyrë tjetër nuk ka.

Tutje, Nagavci ka kritikuar edhe Këshillin e Prindërve, duke thënë se kanë pasur deklarata të pamatura dhe të paqëndrueshme.

“Mendoj se kjo ditë e shtunë për arsye të ndryshme nuk është arritur të realizohet 100 për qind sipas planifikimit, besoj edhe pak për shkak të mungesës së inormimit nga ana jonë, por edhe për shkak të hutisë nga deklaratat e ndryshme që janë krijuar apo edhe tensioneve që i kanë pasur prindërit”, ka deklaruar ajo.

Ajo ka bërë apel te prindërit dhe nxënësit për t’i kompensuar të gjitha humbjet e shkaktuara te nxënësit.

“Situata ka dalluar nga komuna në komunë e prej shkollës në shkollë dhe aty ku informatat kanë qenë të mira, mësimi ka vazhduar. Përfaqësuesit e Këshillit të Prindërve me deklaratat e tyre shpesh të pamatura dhe të paqëndrueshme, dhe konsideroj se kanë një nguti dhe i lus ata që po thirren në emër të Këshillit të Prindërve, që të kenë në radhë të parë interesin më të mirë të fëmijëve”, ka thënë Nagavci.

Ndryshe, Nagavci ka thënë se nëse nuk mbahet mësimi sipas kalendarit të Ministrisë, atëherë nuk do të ketë paga për mësimdhënësit.

Ajo në një lidhje telefonike në Radio Dukagjini në emisionin “Magazina”, me Lirik Sylmetaj dhe Blerina Neziri, kishte thënë se mësimdhënësit e kanë obligim ligjor të dalin në punë edhe të shtunave, për t’i kompensuar orët e humbura mësimore gjatë grevës, e në rast se ky orar nuk zbatohet, ajo ka ritheksuar se nuk do të ketë paga.

Ndër të tjera, Nagavci ka potencuar se ka qenë e obligueshme ligjërisht që të mos ekzekutohen pagat për ata që nuk kanë punuar.

Ajo ka thënë se mësimdhënësit janë paguar si paradhënie për ditët e punës, dhe nëse nuk mbahet mësimi sipas kalendarit të Ministrisë, atëherë nuk do të ketë paga.

Po ashtu, kundër mësimit në ditët e vikendit ka dalë edhe Këshilli i Prindërve, të cilët kategorikisht kanë thënë se refuzojnë t’i dërgojnë fëmijët e tyre në shkolla, edhe nëse kjo bëhet obligative.

Vendimin për kompensim të orëve gjatë vikendit, e ka marrë Ministria e Arsimit, për shkak të orëve të humbura si pasojë e grevës së përgjithshme në arsim për një muaj.

Në kundërpërgjigje të grevës, Ministria e Financave kishte vendosur fillimisht të mos ua procesojë pagat mësimdhënësve që nuk kishin punuar.

Por megjithatë, u mor vendim që pagën mujore mësimdhënësit ta merrnin në formë të avansit, me kusht që t’i kompensonin orët e humbura.

Nagavci: Nëse nuk ka kompensim të orëve mësimore, nuk do të ketë paga

 

Shija e redaktorit

Këto janë libraritë ku mund t’i gjeni tekstet shkollore të...

Shtëpia botuese “Dukagjini” njofton se ka filluar shitja e teksteve shkollore për vitin 2025/2026 dhe tashmë janë në dispozicion në të gjitha libraritë partnere...

Fillon shitja e teksteve shkollore për vitin 2025/2026 nga shtëpia...

Shtëpia botuese “Dukagjini” ka nisur zyrtarisht shitjen e teksteve shkollore për vitin e ri shkollor 2025/2026. Prindërit, mësimdhënësit dhe nxënësit tani mund t’i gjejnë...

50 autoblinda për Kosovën, Ambasada amerikane: Tjetër hap në angazhimin...

Të premten është mbajtur ceremonia e pranim-dorëzimit të autoblindave të reja të prokuruara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për Forcën e Sigurisë së...

Të fundit nga rubrika