Osmani pret heqjen e vizave deri në dhjetor, pa u kushtëzuar me ETIAS

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në kuadër të edicionit të parë të Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë ka zhvilluar një sërë takimesh bilaterale me zyrtarë të lartë të disa shteteve. Ajo në takim me ministren gjermane të shtetit për Evropë dhe Klimë në Ministrinë e Jashtme të Gjermanisë, Ana Lührmann, ka thënë se pret që heqja e vizave të ndodhë deri në dhjetor

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në takim me ministren gjermane të shtetit për Evropë, Ana Lührmann





Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka ritheksuar se Kosova tashmë ka plotësuar të gjitha kriteret për liberalizim dhe se pret që heqja e vizave të ndodhë deri në dhjetor, duke mos u kushtëzuar me ETIAS, për fillimin e zbatimit të të cilit nuk ka ndonjë datë të qartë as Komisioni Evropian.

Ajo, në kuadër të edicionit të parë të Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë ka zhvilluar një sërë takimesh bilaterale me zyrtarë të lartë të disa shteteve.

“Në takim me ministren gjermane të shtetit për Evropë dhe Klimë në Ministrinë e Jashtme të Gjermanisë, Ana Lührmann e ka falënderuar për mbështetjen dhënë Kosovës për liberalizimin e vizave dhe anëtarësimin në Këshillin e Evropës”, thuhet në njoftimin e zyrës së presidentes.

Edhe me Ilhan Kyuchuk, bashkëkryesues i Aleancës Liberal-Demokrate të Evropës (ALDE), njëherësh eurodeputet, Osmani ka diskutuar për liberalizimin e vizave dhe anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

“Eurodeputeti Kyuchuk konfirmoi mbështetjen për liberalizimin e vizave për Kosovën, sikurse edhe për anëtarësimin në Këshillin e Evropës”, vijon njoftimi.

Presidentja Osmani ka mirëpritur progresin e arritur në takimet e fundit të nivelit ministror të Procesit të Berlinit në Berlin drejt finalizimit të disa marrëveshjeve që i kontribuojnë bashkëpunimit rajonal e në veçanti lëvizjes së lirë pa viza në mes 6 shteteve të rajonit dhe krijimit të Tregut të Përbashkët Rajonal.

Sipas saj, ky proces i nisur për së mbari duhet të vazhdojë krahas mbështetjes së Gjermanisë ndaj Ballkanit Perëndimor.

Kurse në takim me Anita Vandelbeld, sekretare në Ministrinë për Zhvillim Ndërkombëtar të Kanadasë, Osmanit i është konfirmuar mbështetja e këtij shteti në rrugën euro-atlantike të Kosovës.

Ndërkaq me ish-presidenten e Estonisë, Kersti Kaljualid, ka potencuar se Kosova gjithnjë ka pasur vizion euro-atlantik dhe se shumica e kosovarëve, jo vetëm që ndajnë vlerat e njëjta me vendet evropiane, por edhe janë me shumicë pro integrimit në BE.

Kurse, në takim me Eric Nelson, ambasador rezident në George C Marshall Center for Security Studies, Osmani ka diskutuar për përmbushjen e agjendës WPS, duke falënderuar SHBA-në për mbështetjen në organizimin e Forumit të sivjetmë.

“Një pjesë e takimit iu kushtua sulmeve dhe kërcënimeve kibernetike, me të cilat Kosova po përballet kohën e fundit. Ambasadori Nelson ka premtuar mbështetje ndaj Kosovës kundër sulmeve kibernetike”.

Presidentja Osmani, në kuadër të aktiviteteve të Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, ka takuar edhe Ruth Gaby Vermot, bashkëkryesuese e organizatës Peace Women Across the Globe.





Shija e redaktorit

Dita e fundit e Panairit të Librit në Tiranë, “Dukagjini”...

Panairi i 28-të i Librit në Pallatin e Kongreseve ka hapur dyert dhe, si çdo vit, Shtëpia Botuese Dukagjini ka rrëmbyer vëmendjen e vizitorëve...

Distria Krasniqi ia siguron Kosovës medaljen e artë në Kroaci

Xhudistja Distria Krasniqi e ka fituar medaljen e artë në Grand Prixin që po mbahet në Zagreb të Kroacisë. Krasniqi ka vazhduar dominimin e plotë...

Abetarja digjitale, versioni modern dhe interaktiv i librit të nxënësit,...

Një epokë e re e të mësuarit ka nisur për nxënësit e klasave të para! Abetarja digjitale, versioni modern dhe interaktiv i librit të parë...

Të fundit nga rubrika