




Avokati, Yll Zekaj, ka thënë se ndonëse nuk duhet të bëhen publike detajet e planit franko-gjerman, ajo çka ai po sheh përveç mostransperencës nga ana e Qeverisë së Kosovës, të njëjtën po shef edhe nga opozita.
I ftuar në FIVE të RTV Dukagjini, Zekaj ka thënë se opinion publik duhet të dijë të paktën diçka rreth çështjes së dialogut Kosovë-Serbi dhe propozimit franko-gjerman.
“Kemi një qeveri dhe opozitë të bashkuar rreth asaj që gjithçka të mos jetë transparente. Pajtohem se Nushin se gjithçka duhet të jetë konsistente, të paktën diçka të dijë opinion publik. Nuk mundet një pjesë e qeverisë të thotë se kemi të bëjmë me ‘fake news’ dhe pjesa tjetër të thotë se është një mundësi e mire”, ka deklaruar Zekaj gjersa ka theksuar se punë më të mire nuk kishin bërë as qeveritë e kaluara.
Gjersa e ka quajtur opozitën jotransparente për takimet e saj me Lajçak, Borrell dhe shtetet e QUINT-it, Zekaj ka thënë se ajo duhet të shtojë aktivitetin e saj.
Krahas kësaj, ai ka thënë se çështja e dialogut Kosovë-Serbi nuk i takon vetëm Qeverisë së Kosovës, por të gjithë spektrit politik.
Të martën, Kurti është takuar me liderët e partive opozitare.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas takimit me liderët opozitarë ka thënë se krerët opozitarë janë më shumë të pakënaqur sesa mospajtues.
“Ishte takim shumë i mirë, pasi ishte takim njoftues për situatën politike dhe të sigurisë me bashkëbisedim të hapur dhe serioz, tash përshtypja ime është që krerët opozitarë janë më shumë të pakënaqur se sa mospajtues”, ka deklaruar Kurti.
Ndërsa për largimin e kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj, nga takimi vetëm 20 minuta pas nisjes së tij, ka thënë se nuk bëhet fjalë për prishje të raporteve me aleatët duke iu referuar deklaratës së Haradinajt, gjersa ka shtuar se ka komunikim të vazhdueshëm me partnerët ndërkombëtarë.
Të martën e tetë nëntorit, Partia Socialdemokrate (PSD) ka zhvilluar një aksion simbolik, duke kritikuar qeverisjen e kryeminsitrit Kurti për zhvillimet dhe situatat e fundit që u krijuan në veri të vendit.
Anëtarët e PSD-së kanë ngjyrosur me ngjyrë të zezë dritaret e ndërtesës së qeverisë, të cilat sipas tyre, tregojnë mbylljen kundrejt qytetarëve.
Kurti pas takimit me opozitarët: Janë më shumë të pakënaqur sesa mospajtues