Kurti: Kjo javë ishte e jashtëzakonshme, i dhamë përgjigje perspektivës evropiane

Kreu i Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti, në adresimin e tij në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, ka thënë se kjo javë ishte e jashtëzakonshme për Kosovën "duke i dhënë cak orientimit evropian, përgjigje perspektivës evropiane dhe kapitull të ri marrëdhënieve me BE-në"

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në adresimin para fillimit të mbledhjes së Qeverisë së Kosovës, ka thënë se kjo mbledhje po mbahet në një orë të pazakontë, por që tërë java ishte e jashtëzakonshme.

“Kjo javë ishte e jashtëzakonshme, patëm ditën historike të 15 dhjetorit, kur Kosova zyrtarisht dorëzoi aplikimin për anëtarësim në BE”, ka thënë Kurti.

Kreu i Qeverisë së Kosovës ka thënë se me këtë aplikim të Kosovës, iu dha cak orientimit evropian dhe përgjigje perspektivës evropiane, kështu duke përmendur edhe marrëveshjen e arritur të mërkurën për liberalizimin e vizave për Kosovën, në mes të përfaqësuesve të Parlamentit dhe Këshillit Evropian.

“I dhamë cak orientimit evropian, i dhamë përgjigje perspektivës evropiane e kapitull të ri marrëdhënieve me BE-në”, ka vijuar Kurti.

Ai ka thënë se procesin e anëtarësimit do ta përshpejtonte njohja nga pesë vendet e Bashkimit Evropian, të cilat ende nuk e kanë njohur Kosovën.

“Krahas meritës sonë, njohja nga pesë shtetet e Bashkimit Evropian që nuk na kanë njohur, sigurisht do të lehtësonte përshpejtimin e procesit të anëtarësimit. Pra njohje që mundësojnë anëtarësim dhe integrim ndërkombëtar”, ka theksuar Kurti.

Kurti ka përmendur edhe buxhetin e miratuar për vitin e ardhshëm, i cili u votua këtë të enjte në Kuvendin e Kosovës.

Buxhetin prej 3.2 miliardë euro, Kurti e ka cilësuar si buxhetin më të lartë dhe më gjithëpërfshirësin në historinë e shtetit të Kosovës.

“Është hera e tretë që po miratohet para fundit të vitit, falënderojmë deputetët e Kosovës që votuan këtë buxhet që do të jetë për të gjithë”, ka thënë Kurti.

Ndër të tjera, Kurti ka thënë se pikë e rëndësishme e kësaj mbledhjeje, është shqyrtimi i Draftit të Strategjisë të Energjisë së Republikës së Kosovës 2022-2031.

“Sot para nesh kemi dokumentet më të rëndësishme për këtë vit, strategjinë e vitit 2022-2031 për energji, thelbësor për zhvillimin energjetik të Kosovës, kjo strategji parasheh zhvillime të shpejta dhe avancime në sektorin e energjisë, mundëson një sektor energjetik të qëndrueshëm”.

Sipas tij, shqyrtimi i kësaj strategjie, është i një rëndësie të veçantë, pasi për herë të parë qytetarët i vendos në qendër që të kenë energji të përballueshme.

Ndryshe, të enjten e 15 dhjetorit, Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka dorëzuar aplikimin në Republikën çeke, vendin që aktualisht e kryeson Presidencën e BE-së.

Ceremonia e dorëzimit është mbajtur në ndërtesën e Qeverisë çeke, në Pragë.

“Është një ditë historike për popullin e Kosovës dhe një ditë e jashtëzakonshme për demokracinë në Evropë. Letra që kam sjellë bart shpresat dhe ëndrrat e qytetarëve tanë që kanë punuar me shumë zell për të arritur këtë ditë”.

Kështu ka thënë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë konferencës së përbashkët me ministrin çek, Mikullash Bek, në Pragë, gjatë dorëzimit të aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Shija e redaktorit

Një dekadë nga shenjtërimi i Nënë Terezës, simbolit botëror të...

Dhjetë vjet më parë, Nënë Tereza u shpall shenjtore nga Papa Françesku, duke u nderuar për veprën e saj të jashtëzakonshme në shërbim të...

Ali Ahmeti thirrje për Marshin për Liri: Më 12 shtator...

Ish lideri i UÇK-së dhe kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti ka bërë thirrje për pjesëmarrje në Marshin për Liri, i cili do të mbahet...

FC Prishtina mbështetë “Marshin për Liri” më 12 shtator, në...

Klubi i Futbollit “Prishtina” i është bashkuar përkrahjes së “Marshit për Liri”, i cili do të mbahet më 12 shtator në Prishtinë, në mbështetje...

Të fundit nga rubrika