Lëvizja Vetëvendosje, parti që udhëheq me Kosovën prej vitit 2021, ka fajësuar lidhjet me “pushtetin e vjetër” dhe historinë e pandëshkueshmërisë për kulturën e të fortit dhe pasojat që, sipas saj, kanë lënë në shoqëri, në reagimin pas vrasjes së Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës.
Në reagimin e publikuar në Facebook, partia në pushtet ka thënë se këto dukuri nuk janë të shkëputura, por janë rezultat i një historie që, sipas saj, ka ndikuar rëndë në shoqërinë kosovare.
“NUK MUND TË DORËZOHEMI PARA DHUNËS DHE VRASËSVE!
Vrasja e Arlinda Zekës na ka tronditur dhe zemëruar. Familjes së saj i shprehim ngushëllimet tona më të thella. Një tjetër gruaje iu mor jeta nga dhuna e një burri, familjar i burrit të saj. Një tjetër familje mbeti me dhimbjen e një humbjeje të pakthyeshme. Dhe një djalë 12-vjeçar mbeti pa nënë.
Prej fillimit të këtij viti, në Kosovë janë vrarë gra e burra, vajza e djem. Rastet e raportuara publikisht tregojnë për 17 viktima, prej tyre tetë gra dhe nëntë burra.
Këto shifra dëshmojnë peshën e rëndë të dhunës vrasëse në shoqërinë tonë.
Vrasja e grave ka një përmasë të veçantë shoqërore, pushtetin patriarkal, kontrollin mbi gruan dhe mohimin e lirisë së saj. Edhe pse e rëndë, ajo me kalimin e viteve po merr trajtat e femicidit në vendin tonë, ngase vrasjet kanë motive dhe natyrën e mohimit të së drejtës për jetë pikërisht të gruas si të tillë.
Ndërsa vrasjet e burrave dhe djemve na përballin edhe me kulturën e forcës, të hakmarrjes dhe të zgjidhjes së konflikteve dhunshëm, përmes armëve.
Këto nuk janë dukuri të shkëputura. Kultura e të fortit, privilegjet e fituara përmes lidhjeve me pushtetin e vjetër nga një krah dhe historia e pandëshkueshmërisë e mbetur për rreth 2 dekada kanë lënë pasoja të rënda në shoqërinë tonë.
Dhuna nuk është forcë. Sundimi mbi tjetrin nuk është autoritet. Arma nuk është argument. Vrasja është akt çnjerëzor. Është fundi i njeriut.
Mbrojtja e jetës kërkon edhe drejtësi shoqërore, pavarësi ekonomike dhe shërbime publike të qasshme. Qeverisja jonë ka punuar dhe do të punojë pandalshëm për ta ndihmuar të ngrihet ekonomikisht çdo familje, çdo grua.
Institucionet si komunat, qendrat e punës sociale, policia e prokuroria e gjykata duhet të parandalojnë, të mbrojnë, të hetojnë dhe të ndëshkojnë. Këto t’i bejnë të pavarura nga mentaliteti patriarkal dhe i justifikimit të dhunës ndaj të dobtit. Vendimet e tyre nuk mund të udhëhiqen nga bindjet, paragjykimet apo perceptimet personale. Ato duhet të mbështeten në moralin që buron nga ligji dhe në të drejtat universale të njeriut, duke pasur në themel detyrimin për të mbrojtur jetën, dinjitetin dhe lirinë e secilit.
Çdo kërcënim i shpërfillur mund të përfundojë në tragjedi.
Nuk pranojmë që frika të bëhet mënyrë jetese, as që dhuna të trashëgohet si normë shoqërore.
Nuk mund të dorëzohemi para vrasësve, as para kulturës që i arsyeton dhe i mbron ata”, thuhet në reagim.