Zëvendëskryeministri i parë, Besnik Bislimi, ka pritur në takim deputetin e Bundestagut gjerman, Christoph Ploss, të martën e 20 dhjetorit.
Në njoftimin e Zyrës së Kryeministrisë thuhet se Gjermania është një nga aleatët më të fuqishëm dhe shtet mik i Kosovës, ndërsa marrëdhëniet mes Kosovës dhe Gjermanisë, “vijojnë e thellohen në kuadër dhe të bashkëpunimit të ngushtë mes dy vendeve tona në fusha me interes të përbashkët strategjik”.
“U diskutua dhe mbi rrugëtimin evropian të Kosovës, ku zëvendëskryeministri Bislimi përmendi se vendi ynë ka përafruar politikën e jashtme me atë të BE-së, kemi aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe së fundmi për anëtarësim në Bashkimin Evropian si dhe janë bërë hapa përpara drejt liberalizimit të vizave, ku sot dhe u miratua nga ambasadorët e BE-së teksti mbi liberalizimin”, ka njoftuar Zyra e Kryeministrisë.
Tutje thuhet se zëvendëskryeministri Bislimi ka falënderuar deputetin për mbështetjen e vazhdueshme të institucioneve gjermane ndaj Kosovës.