Ambasadori i Kosovës në Belgjikë, Agron Bajrami, të mërkurën e 11 janarit është takuar me ambasadoren e Libisë, Amel Jerary, me të cilën ka diskutuar për thellimin e raporteve midis dy vendeve.
Gjatë këtij takimi është diskutuar edhe për forcimin e bashkëpunimit Kosovë-Libi, si në politikë e diplomaci, ashtu edhe në fusha të tjera.
Ambasada e Kosovës në Belgjikë përmes një postimi në Facebook ka thënë se në takim dy ambasadorët diskutuan zhvillimet aktuale dhe sfidat e veçanta me të cilat përballen Kosova dhe Libia, përpjekjet e dy vendeve për forcimin e demokracisë dhe shtetësisë, si dhe situatat e përgjithshme gjeopolitike, edhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor, edhe në atë të Magrebit.
“Posaçërisht u fol për thellimin e marrëdhënieve mes dy vendeve dhe forcimin e bashkëpunimit Kosovë-Libi, si në politikë dhe diplomaci, ashtu edhe në fushat e tjera. Ambasadori Bajrami u shpreh se Kosova është mirënjohëse për përkrahjen e Libisë, e cila në vitin 2013 e ka njohur pavarësinë e Kosovës dhe prej vitit 2015 kemi marrëdhënie diplomatike. Ai shtoi se tani është koha që këto marrëdhënie të funksionalizohen e thellohen më shumë”, thuhet në njoftimin e Ambasadës.
Në anën tjetër, ambasadorja Jerary citohet të ketë thënë se Libia e mirëpret vullnetin e Kosovës për bashkëpunim më të madh, sidomos në fushën e diplomacisë.
Kurse për takimin me ambasadoren e Libisë në Bruksel, ka shkruar edhe vetë ambasadori Bajrami.
“Thellimi i bashkëpunimit dhe marrëdhënieve ndërshtetërore mes Kosovës dhe Libisë ishte në qendër të bisedës shumë miqësore”, shkroi Bajrami.
Ndryshe, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, kishte deklaruar se nëntë shtete kanë tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës, duke përfshirë Somalinë, Burkina Fason, Gabonin, Eswatinin, Libinë, Guinenë, Antiguan dhe Barbudan, Saint Lucian dhe Maldivet.