Si çdo javë, emisioni “Jeto” me Xheneta Asllanin ka rubrikë të veçantë diskutimin me profesionistë shëndetësorë lidhur me tema të ndryshme që ndikojnë tek shëndeti mendor.
Sonte për të diskutuar lidhur me stresin tek fëmijët, të ftuara ishin psikologet shkollore dhe të këshillimit, Fiona Muhaxheri dhe Adela Bajrami.
Bajrami tha se stresi është mënyra se si reagojmë ne ndaj një situate që nuk mund ta menagjojmë, teksa stresore cilësohet secila situatë që na shkakton stres. Ajo deklaron se stresi është një pjesë e përditshmërisë sonë, një që që përveç të rriturve, e përjetojnë edhe fëmijët e adoleshentët.
Muhaxheri theksoi se ka shumë faktorë që e shkaktojnë stresin tek fëmijët, siç janë faktorët shëndetësorë – sëmundjet, vizitat mjekësore, imazhi i trupit, faktorët familjarë – marrëdhëniet familjare, financiare, divorci, e faktorët shkollorë – marrëdhënia me mësimdhënësit, testet, notat e të tjera. Stres sipas saj fëmijët kanë edhe gjatë fazave zhvillimore, fillimit të çerdhes, shkollës, trajnimi për tualet, ndryshimi nga fjetja në dhomën e prindërve tek ajo në një dhomë tjetër, këto sipas psikologes janë faza normale.
Bajrami shtoi se ka situata tjera që nuk janë të këqija, por mund të shkaktojnë stres tek fëmijët, siç janë ndryshimi i shtëpisë apo shkollës, ardhja në jetë e një motre apo vëllau e të tjera. Simptomat e stresit tek fëmijët shton psikologia, janë fizike dhe psikologjike. Fëmijet që kanë stres mund të kenë probleme me gjumin, flejnë më gjatë apo më shkurt se zakonisht, rrijnë zgjuar deri në orët e vona, kanë oreks të shtuar, apo humbje totale të oreksit, shmangen nga shoqëria, izolohen, kanë dhimbje koke, tension, rrahje të shtuara të zemrës e frymëmarrje të shpjejtë.
Muhaxheri deklaron se lidhur me diagnostikimin e stresit tek fëmijët duhet të ndihmojnë prindërit, pasi fëmijët shpesh nuk mund të vijnë në përfundim se po ndikohen nga stresi, pasi në periudha të caktuara të jetës së tyre as nuk e kuptojnë nocionin e stresit. Prindërit sipas saj duhet t’iu ndihmojnë që t’i identifikojnë ndjenjat dhe emocionet e pakëndshme që i përjetojnë fëmijët, duke qënë përkrahës dhe jo kritik. Psikologia shton se prindi duhet t’i japë hapësirë dhe pavarësi fëmijës që ai të ndihet se e ka jetën e tij nën kontroll. Megjithatë ajo shton se jo çdo herë stresi vetmenaxhohet, e kur fëmiu vjen tek pika kur stresi i pengon në funksionim, prindi duhet të kërkojë ndihmën e një profesionisti.
Teksa Bajrami shtoi po ashtu se profesionisti shëndetësor ka një rol të rëndësishëm, mirëpo rolin e parë kryesor e kanë prindërit, në të gjitha sferat e zhvillimit të fëmiut, përfshirë këtu edhe atë emocional.