Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka bërë të ditur se partia që udhëheqë ka kërkuar që të mbhet seancë plenare të veçantë për zhvillimet e dialogut Kosovë-Serbi.
Sipas tij, me iniciativën e PDK-së, të hënë, me 13 shkurt, “këtë debat do ta shtrojmë në Kuvend, aty ku edhe e ka vendin që të shtrohet e diskutohet detajisht kjo çështje”.
“Prandaj, si Grup Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës, sot kemi kërkuar edhe zyrtarisht një seancë plenare të veçantë, në mënyrë që me kryeministrin Kurti të debatojmë hapur për të gjitha temat e çështjet rreth zhvillimeve të ndërlidhura me dialogun Kosovë-Serbi”, ka shkruar Krasniqi.
Krasniqi ka thënë se qëllimet e shtetit tonë në dialog me Serbinë janë të njohura.
“Qëllimet e shtetit tonë në dialog me Serbinë janë të njohura. Angazhimi për arritjen e këtyre qëllimeve është përgjegjësi nga e cila nuk mund të shmanget askush. Ushtrimi i kësaj përgjegjësie nuk mund të bëhet në mënyrë të fshehtë, as nëpër restorante, e as me postime në twitter, por përmes transparencës së plotë përballë qytetarëve e përfaqësuesve të qytetarëve në Kuvendin e Kosovës”.