Kuvendi i Maqedonisë së Veriut miraton riorganizimin e Qeverisë

Kuvendi i Maqedonise se Veriut

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut ka votuar të hënën pas mesnate riorganizimin e Qeverisë, duke përfshirë në të edhe ministra të Aleancës për Shqiptarët, e cila është bërë pjesë e shumicës parlamentare.

Ministër i ri i Drejtësisë është zgjedhur Krenar Llogar, ministër i Shëndetësisë, Fatmir Mexheti, ministër i Administratës Publike dhe Shoqërisë Informatike, Azir Aliu, ndërsa Kaja Shukova për ministre të Ekologjisë.

Ndryshimet janë miratuar me 65 vota nga 120 sa janë gjithsej, shkruan REL.

Riorganizimi i Qeverisë së kryeministrit Dimitar Kovaçevski ka ardhur pas vendimit të partive në pushtet, Lidhjes Social Demokrate (LSD) dhe Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) për zgjerimin e shumicës parlamentare, duke përfshirë edhe Aleancën për Shqiptarët.

Kryeministri Kovaçevski ka thënë se zgjerimi bëhet me qëllim të forcimit të shumicës për vazhdimin e kursit të integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut.

“Deputetët e VMRO-DPMNE-së për dy javë bllokuan zgjedhjen e ministrave dhe kështu penguan punën e ministrive të caktuara, në dëm të qytetarëve, që në fund, si shumë herë më parë, kur erdhi koha e votimit, as nuk votuan kundër propozimeve që ata kritikuan aq shumë”, është thënë në reagimin e LSDM-së.

Por, shumica është rritur me vetëm një deputet, pasi nga Qeveria është larguar partia Alternativa, për shkak të mosmarrëveshjes për ndarjen e posteve.

Debati për zgjedhjen e ministrave të rinj ka nisur më 13 shkurt dhe ka zgjatur dy javë, për shkak të bllokimeve me fjalime të gjata nga deputetët e VMRO DPMNE-së.

VMRO DPMNE-ja vlerëson se zgjerimi i shumicës është bërë për “shpëtimin e Qeverisë dhe jo për kursin evropian të vendit”.

Shumica parlamentare synon ndryshimin e kushtetutës maqedonase për përfshirjen e pakicës bullgare në preambulën e saj.

Një ndryshim i tillë është obligim që del nga marrëveshja e Shkupit me Sofjen, për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mes dy vendeve dhe zhbllokimin e procesit të integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut.

Për të ndryshuar Kushtetutën, nevojiten dy të tretat e votave, apo 80 nga 120 vota të deputetëve, ndërkohë shumica tani ka vetëm 65.

Pa votat e partive opozitare, Alternativa, Besa dhe VMRO DPMNE, këto ndryshime nuk do të mund të miratohen, gjë që mund të rrezikojë nisjen e bisedimeve të Shkupit për anëtarësim në Bashkimin Evropian, pasi Sofja sërish mund të bllokojë këtë proces.

Shija e redaktorit

BookFest rikthehet në Albi Mall: 10 ditë me zbritje speciale,...

Nga 10 deri më 19 korrik, Libraria Dukagjini sjell edicionin e katërt të BookFest, festivalit të librit që tashmë është shndërruar në një pikëtakim...

“Dukagjini” dhe “Pearson” organizojnë konferencë për mësimdhënësit e anglishtes

Shtëpia Botuese “Dukagjini”, në bashkëpunim me Pearson, organizoi sot në Prishtinë konferencën “Together We Rise”, një nga ngjarjet më të rëndësishme profesionale për mësimdhënësit...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” me shumë aktivitete për fëmijët më 1...

Prindër e fëmijë u bënë bashkë në një vend. Për 1 qershorin, Ditën Botërore të Fëmijëve, Shtëpia Botuese Dukagjini i mblodhi në sheshin “Zahir Pajaziti”...

Të fundit nga rubrika