Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka thënë se përgjatë kohës së Qeverisë Kurti, 107 mijë e 310 qytetarë kanë ikur nga Kosova.
Në seancën plenare të Kosovës, ai ka deklaruar se shpopullimi i vendit tregon qeverisjen e vërtetë të Kurtit, duke i thënë atij se lëvdatat mbi qeverisjen dyvjeçare të tij e ajo çka do të thotë në Kuvend, nuk ka vlerë.
“Përgjatë dy viteve të fundit, mesatarisht 147 persona në ditë e lëshojnë Kosovën për të kërkuar një jetë më të mirë larg vendit. Mesatarisht mbi 1000 qytetarë në javë. Pra gjatë dy viteve të Qeverisë Kurti, 107 mijë e 310 qytetarë të Kosovës kanë ikur nga Kosova, jo si turistë, por si mërgimtarë që kanë humbur shpresën dhe besimin në atë se çfarë mund të ofrojë shteti jonë, të reja e të rinj, vetë e me familje…nga çdo cep i Kosovës…. Kosova po zbrazet, vendi ynë po shpopullohet, familjet tona po zvogëlohen, kjo është fytyra e vërtetë e qeverisjes tënde kryeministër. Ky migrim i paprecedentë flet më së miri se sa janë të kënaqur njerëzit dhe familjet me punën tënde. Çkado që flet sot nuk ka vlerë”, ka deklaruar Krasniqi.