Sveçla: Nesër është mundësia që grupet nën dirigjimin e Vuçiq të marrin përgjigjen e merituar dhe qytetarët të çlirohen nga ta

E diela e 23 prillit është data kur do të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të komunave në Mitrovicën e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan. Përkundër kërcënimeve ndaj komunitetit serb, ministri Xhelal Sveçla u ka bërë thirrje qytetarëve të marrin pjesë në votim, gjersa ka theksuar se kjo paraqet edhe një përgjigje ndaj grupeve të dirigjuara nga presidenti Vuçiq

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, u ka bërë thirrje qytetarëve që të marrin pjesë në votimet e zgjedhjeve në veri të dielën.

Me anë të një postimi në Facebook, Sveçla ka thënë se e nesërmja, dita e zgjedhjeve, paraqet mundësinë që grupet e dirigjuara nga presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, të marrin përgjigjen e tyre dhe jo vetëm.

“Nesër do të mbahet procesi zgjedhor në 4 komunat veriore dhe përkundër frikës dhe pasigurisë që tentojnë të përhapin qarqe të caktuara e të orkestruara, ju bëj thirrje qytetarëve që të marrin pjesë në votim. Nesër është mundësia që përmes votës së qytetarëve, grupet që kanë udhëhequr nën dirigjimin e Vuçiq të marrin përgjigjen e merituar dhe qytetarët të çlirohen përfundimisht nga ta”, ka shkruar Sveçla.

Gjersa ka përmendur kërcënimet e deritanishme ndaj komunitetit serb, ky i fundit ka thënë se si shkak i ndikimit nga shteti serb, shumë kandidatë kanë dhënë dorëheqje.

“Serbia po vijon me përndjekje e arrestime të serbëve të cilët akuzohen se janë angazhuar në institucionet tona. Pasi nën presion i’u kanë kërkuar dorëheqjet nga institucionet tona, tani edhe i ndëshkojnë përmes arrestimeve e i kërcënojnë përmes formave të ndryshme. Qëllimet e Serbisë për destabilizimin e vendit tonë më së shumti kanë rënduar mbi qytetarët e komunitetit serb të cilët në vazhdimësi janë përdorur si mjet për arritjen e qëllimeve të tyre. Ata janë kërcënuar në vazhdimësi, janë sulmuar, veturat dhe pronat e tyre janë djegur sapo i kanë dorëzuar targat ilegale të Serbisë, bizneset e tyre janë shkatërruar çdoherë që pronarët nuk kanë pranuar të jenë pjesë e lojërave të tyre. Zërat ndryshe janë ndalur padrejtësisht e me orë të tëra nga policia dhe shërbimi sekret i Serbisë ndërsa tani kur jemi në proces zgjedhor, shumë kandidatë janë penguar e janë dorëhequr përshkak të presioneve e sulmeve të shumta”, ka shkruar Sveçla.

E diela e 23 prillit është data kur do të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të komunave në Mitrovicën e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan.

Rreth 360 është numri i vëzhguesve të akredituar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) për të vëzhguar zgjedhjet e së dielës, më 23 prill, që do të mbahen në katër komunat e veriut të Republikës së Kosovës.

Nga 44 sa kanë qenë në të kaluarën, kësaj radhe do të jenë 19 qendra votimi, e shumica prej tyre do të improvizohen në kontejnerë.

Numri i përgjithshëm i qendrave të votimit në këto katër komuna është 19, me gjithsej 34 vendvotime, prej tyre 6 janë qendra votimi të rregullta, me gjithsej 6 vendvotime, ndërsa 13 qendra të tjera votimi janë alternative, me gjithsej 28 vendvotime.

Për zgjedhjet në veri do të shtypen 43 mijë e 500 fletëvotime.

Që të tria komunat, Mitrovica e Veriut, Leposaviqi, Zveçani dhe Zubin Potoku kanë mbetur pa kryetar të komunave që nga nëntori i vitit të kaluar. Kjo pasi serbët braktisën institucionet e Kosovës për shkak të vendimit të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targa serbe.

Në garë për kryetar të këtyre komunave janë 10 kandidatë nga tri subjekte politike, prej të cilave, vetëm një nga komuniteti serb.

Shija e redaktorit

“Dukagjini” dhe “Pearson” organizojnë konferencë për mësimdhënësit e anglishtes

Shtëpia Botuese “Dukagjini”, në bashkëpunim me Pearson, organizoi sot në Prishtinë konferencën “Together We Rise”, një nga ngjarjet më të rëndësishme profesionale për mësimdhënësit...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” me shumë aktivitete për fëmijët më 1...

Prindër e fëmijë u bënë bashkë në një vend. Për 1 qershorin, Ditën Botërore të Fëmijëve, Shtëpia Botuese Dukagjini i mblodhi në sheshin “Zahir Pajaziti”...

Hapet sezoni turistik në Shëngjin, sporte ujore dhe parashuta spektakolare...

Sezoni turistik në Shëngjin është hapur zyrtarisht me një ceremoni festive që mblodhi pushues, qytetarë dhe vizitorë të shumtë në bregdetin e njohur të...

Të fundit nga rubrika