Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, gjatë vizitës së tij në Stockholm, u prit në takim nga sekretari i Shtetit për Çështje Evropiane, Christian Danielsson.
Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, rrugëtimi i Kosovës në proceset e integrimit evropian ishte në fokus të diskutimeve.
Zëvendëskryeministri Bislimi foli mbi zhvillimet pozitive evropiane për Kosovën si liberalizimi i vizave, kalimi i etapës së parë në anëtarësimin në Këshillin e Evropës dhe nevojën për të ecur tutje në fazat e ardhshme me aplikimin për anëtarësim në BE, të cilat do të ishin fillimisht marrja e pyetësorit, e më tej statusi i vendit kandidat.
Ai ka thënë se Kosova është e gatshme të bëjë hapa të rëndësishëm për t’u integruar në Bashkimin Evropian.
“Si vendi me përkrahjen më të madhe ndaj integrimit në strukturat evropiane nga vendet e Ballkanit Perëndimor dhe e shtyrë nga forca, vullneti dhe energjia e një popullate me moshë mesatare të re, Kosova është gati të bëjë hapa të rëndësishëm dhe solid në integrimin brenda familjes evropiane”, ka thënë ai.
Në këtë takim si dhe përgjatë vizitës dhe qëndrimit në Stockholm, zëvendëskryeministri Bislimi u shoqërua nga ambasadorja e Kosovës në Suedi, Shkëndije Geci.