Gjykata Themelore në Prishtinë ua ka caktuar masën e paraburgimit pesë të dyshuarve, E.B, L.B, B.V, A.S dhe A.H për shtytje në terrorizëm, secilit nga një muaj.
“Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit në çështjen penale kundër të pandehurve E.B, L.B, B.V, A.S dhe A.H, për shkak të veprave penale ‘Shtytja për kryerjen e veprave terroriste’ nga neni 134 lidhur me nenin 31 dhe për veprën penale ‘Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’ nga neni 366 paragrafi 1 lidhur me paragrafin 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Gjyqtari i Procedurës Paraprake kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve E.B, L.B, B.V, A.S dhe A.H e ka aprovuar dhe të njëjtëve u ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji për secilin. Paraburgimi u është caktuar në harmoni me nenin 184 paragrafi 1, pika 1.1 si dhe 1.2.1, 1.2.2 dhe 1.2.3 të KPPRK-së”, thuhet në njoftim.
Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Pesë të dyshuarit që u arrestuan të hënën e 15 majit, nën dyshimin për vepra terroriste, të martën janë sjellë në pranga në Gjykatën Themelore të Prishtinës.
Policia e Kosovës kishte njoftuar se personat e arrestuar dyshohet se kanë kryer vepra terroriste.
Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, më 15 maj është kryer një aksion në gjashtë lokacione në rajonin e Pejës, të Prishtinës dhe të Gjilanit, ku janë arrestuar pesë të dyshuarit.
Ata dyshohet se kanë kryer veprat penale “Shtytje në kryerjen e veprës terroriste” dhe “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.