Është analisti Lirim Mehmetaj, ai e cili ka vlerësuar ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, si “të dobët”.
I ftuar në “Debat Plus” të RTV Dukagjini, Mehmetaj përmendi edhe një veprim të Haxhiut, i cili sipas tij, flet për nivelin e saj.
“Albulena Haxhiu është aq e dobët saqë kur ndodhi ajo vrasja makabër e një gruaje shtatzënë në QKUK dhe u trondit opinion, pati propozuar për t’u bërë një ligj në momentin që një grua ankohet në polici, automatikisht, personi për të cilin është ankuar të arrestohet, pa asnjë hetim, pa asnjë provë. Kësi niveli është Albulena”, thotë ai.
Kjo deklaratë e Mehmetajt erdhi pasi analisti Ylli Hoxha kërkoi dorëheqjen e ministres Haxhiu.
“Dorëheqje, silleni një ministër, një ekip, i cili është profesionalisht tejet i ngritur, në të cilin, debati me Blerim Isufajn nuk do të ekzistonte sepse ambicia do të ishte më e lartë. Pra nuk kemi ambicie për ta sjellë një prokuror për qejfi të Albin Kurtit, duhet me sjellë një prokuror që kryen punë”, ka thënë Hoxha në “Debat Plus“.
Hoxha ka thënë se sistemi i drejtësisë duhet të jetë i pavarur, efikas dhe cilësor, dhe se duhet të bëhen reforma në Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK) dhe në Këshillin Gjyqësor të Kosovës (KGjK).
Ai është shprehur se kryeministri Kurti ka dhënë “shenja të qarta” se e ka qëllim ta kontrollojë sistemin e drejtësisë.