Situatë e qetë është të shtunën e 3 qershorit në komunën e Leposaviqit.
Siç raporton RTV Dukagjini, janë pjesëtarët e KFOR-it italian ata të cilët po bëjnë monitorimin e situatës.
Protesta po vazhdon dhe në të po marrin pjesë rreth 30 persona.
Protestat nisën më 26 maj, me mbledhjen e serbëve lokalë para objekteve të komunave, me qëllim pengimin e hyrjes së kryetarëve të rinj shqiptarë të Zveçanit, të Zubin Potokut dhe Leposaviqit në to.
Zgjedhjet, në të cilat u zgjodhën këta kryetarë, u bojkotuan nga shumica e qytetarëve serbë.
Njëherit, më 29 maj, trupat paqeruajtëse të KFOR-it ndërhynë në Zveçan, me ç’rast rreth 30 ushtarë u lënduan.
SHBA-ja ka kërkuar nga Kurti që Qeveria nuk duhet të insistojë që kryetarët e komunave të punojnë nga ndërtesat komunale dhe largimin e forcave të Policisë së Kosovës nga ndërtesat komunale.
Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Hovenier, ka ritheksuar se, sipas tij, veprimet e ndërmarra nga Qeveria e Kosovës kanë krijuar situatat e fundit në veri.