Haradinaj: Zbardhja e koordinimit të përfaqësuesve të Kurtit me armiqtë e Kosovës, thikë pas shpine

Haradinaj vlerëson se situata e shkaktuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës gjatë seancës të së enjtes paraqet një alarm për përshkallëzim të situatës. Ai thekson se veprimet e Qeverisë do i kushtojnë Kosovës në lidhjet më të ngushta të saj

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj i ftuar në Debat Plus

Si “thikë pas shpine” është cilësuar audio-incizimi i shefes së Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari me Simiqin.

Me anë të një postimi në Facebook, Haradinaj nuk e ka konsideruar vetëm këtë pjesë si thikë pas shpine nga ana e Qeverisë Kurti. Ai rendit disa prej tyre.

“Thikë pas shpine është edhe prishja e marrëdhënieve me aleatët e Kosovës, BE dhe SHBA, që rezultoi me përjashtimin e Kosovës nga ‘Defender 23’, duke e komplikuar tej mase aspiratën e Kosovës për anëtarësim në strukturat euroatlantike. Tërheqja e tij nga veriu, me një vonesë të pashpjegueshme dhe vetëm pasi Kosova është futur nën sanksione të BE-së dhe të SHBA-së, duke i shkaktuar kështu një dëm të pariparueshëm vendit, nuk mund të konsiderohet ndryshe, përveç si një politikë antishtetërore e antikombëtare”, ka shkruar ai.

Haradinaj vlerëson se situata e shkaktuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës gjatë seancës të së enjtes paraqet një alarm për përshkallëzim të situatës. Ai thekson se veprimet e Qeverisë do t’i kushtojnë Kosovës në lidhjet më të ngushta të saj.

“Ngjarjet e djeshme në Kuvendin e Kosovës dhe dhuna e shpërfaqur aty, janë alarm se situata mund të përshkallëzohet, jo vetëm në Kuvendin e Kosovës, por edhe jashtë tij. Kosova nuk mund të qëndrojë e qetë, në kohën kur Qeveria e vendit, na e ngul thikë pas shpine aty ku na dhemb më së shumti, në lidhjen më të shenjtë të Kosovës, me NATO-n, Amerikën dhe me kategoritë e lirisë. Do të jemi të pakompromis dhe më të vendosur se kurrë në mbrojtje të interesave të shtetit e të qytetarit, aspiratës sonë për anëtarësim në NATO, në ruajtjen e miqësisë me aleatët tanë, Amerikën dhe BE e në mbrojtje të vlerave të lirisë sonë”, ka deklaruar ai.

Deputetë të pushtetit e ata të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) u përleshën mes vete në seancën e së enjtes gjatë kohës kur kreu i ekzekutivit, Albin Kurti, fliste për situatën në veri.

Nisi me një fotografi të vendosur nga deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, fotografi kjo e kryeministrit Albin Kurti e shoqëruar me një animacion të personazhit vizatimor Pinokio në foltore. E njëjta u shqye nga zëvëndëskryeministri Besnik Bislimi, veprim i cili nxiti veprimin e deputetit të PDK-së, Mergim Lushtaku.

Ky i fundit spërkati me ujë kryeministrin, veprim të cilin tentoi ta ndalonte ministri i Financave, Hekuran Murati. Lushtaku nuk kurseu as zëvëndëskryeministrin Bislimi, por më pas, ky i fundit goditi me shishe Lushtakun për të filluar kështu një përleshje, e cila mblodhi në mesin e sallës një pjesë të deputetëve.

Më vonë, u bë e ditur se deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Mërgim Lushtaku, është ftuar nga Prokuroria për intervistim pas skenave të dhunës në Kuvendin e Kosovës. Me të, edhe deputeti Hajdar Beqa.

Se kush e nisi e pse erdhi deri te përleshja, pushteti e PDK fajësojnë njëra-tjetrën për dhunën në Kuvend.

Shija e redaktorit

Për nder të 32-vjetorit të themelimit, shtëpia botuese “Dukagjini” dhuron...

E themeluar më 14 mars 1994, në një periudhë sfiduese për librin, arsimin dhe kulturën shqiptare në Kosovë, shtëpia botuese “Dukagjini” sot shënon 32-vjetorin...

Ekskluzive: Kosova mundëson riatdhesimin e shtetasve të Bosnjë-Hercegovinës nga Riadi...

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës ka organizuar riatdhesimin e shtetasve të Bosnjë dhe Hercegovinës me një fluturim nga Riadi drejt...

Dukagjini Resort dhe The Northern prezantohen në panairin më të...

Projekti Dukagjini Resort së bashku me The Northern do të marrin pjesë në MIPIM Cannes, panairin më të madh ndërkombëtar patundshmërisë në botë. Projekti do...

Të fundit nga rubrika